Raporti më i fundit i Transparency International – Maqedoni për Indeksin e Transparencës së Vetëqeverisjes Lokale 2025 sjell një pasqyrë të qartë, por shqetësuese: komunat në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të funksionojnë më shumë si struktura administrative që “plotësojnë minimumin ligjor”, sesa si institucione të hapura e të llogaridhënshme ndaj qytetarëve, informon PressOnline.al
Me një mesatare prej vetëm 52 pikësh nga maksimumi 100, rezultati i përgjithshëm tregon se pushteti lokal ende nuk ka ndërtuar mekanizma funksionalë për informim, mbikëqyrje dhe kontroll publik. Edhe komuna më e vlerësuar, Manastiri me 67 pikë, mbetet larg standardeve të një qeverisjeje lokale plotësisht transparente, ndërsa Ohri, me vetëm 39 pikë, konfirmon se mungesa e transparencës nuk është përjashtim, por pjesë e një modeli më të gjerë institucional
Buxhete të publikuara, por jo të kuptueshme
Një nga paradokset kryesore të raportit lidhet me buxhetet komunale. Të gjitha komunat i publikojnë ato në faqet e tyre zyrtare, por shpesh në forma të skanuara, të pakuptueshme dhe të papërdorshme për analizë reale. Qytetari informohet se “ekziston buxheti”, por jo si shpenzohen paratë, pse janë prioritetet e tilla dhe cilat janë efektet konkrete në jetën e përditshme
Mungesa e raporteve mujore, e buxheteve qytetare të rregullta dhe sidomos e auditimeve të qarta, e kthen procesin buxhetor në një procedurë teknike, jo në një mjet llogaridhënieje publike.
Edhe pse vendimet e këshillave komunalë publikohen, raporti evidenton një boshllëk thelbësor demokratik: mungesën e transparencës në procesin e vendimmarrjes. Propozim-aktet nuk publikohen paraprakisht, votimi individual i këshilltarëve nuk bëhet publik dhe qytetari mbetet spektator pasiv, jo pjesëmarrës aktiv në procesin politik lokal.
Ndërmarrjet publike – “zonë e errët” e pushtetit lokal
Segmenti më problematik mbetet ai i ndërmarrjeve dhe institucioneve publike komunale. Edhe kur ekzistojnë faqe interneti, ato janë të vjetruara, pa plane vjetore pune, pa raporte financiare dhe pa transparencë për emërimet drejtuese. Pikërisht aty ku qarkullojnë fonde të konsiderueshme publike, kontrolli qytetar është minimal ose inekzistent, thuhet në analizë përcjell PressOnline.al
Raporti tregon se dëgjimet publike dhe thirrjet për konsultim janë më shumë ritual sesa proces real. Propozimet e qytetarëve nuk dokumentohen, nuk publikohen dhe nuk dihet nëse ndikojnë ndonjëherë në vendime konkrete. Transparenca, në këtë rast, reduktohet në njoftim, jo në dialog.
Gjetjet e Transparency International nxjerrin në pah një problem strukturor: komunat po e kuptojnë transparencën si detyrim administrativ, jo si themel të besimit publik. Pa dokumente të kuptueshme, pa të dhëna të hapura, pa raporte të qarta dhe pa përgjegjësi personale të zyrtarëve, pushteti lokal mbetet larg qytetarit, edhe kur flet në emër të tij.(PressOnline.al)


