Kodi i ri Zgjedhor në tryezë, partitë përballë testit të konsensusit

featured
Press Online
27 Janar 2026, 21:04

Grupi i punës për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor pritet të formohet së shpejti, pasi nga Kuvendi dhe Ministria e Drejtësisë është konfirmuar se lista me përfaqësuesit e propozuar nga partitë parlamentare dhe deputetët e pavarur tashmë i është dorëzuar ministrit. Tani pritet që ministri Filkov të caktojë takimin e parë konstituiv, informon PressOnline.al

Nga radhët e VMRO-DPMNE-së në grupin e punës do të marrin pjesë deputetët Antonio Milloshoski dhe Ivanka Vasilevska, nga ZNAM – Pavle Arsovski dhe Daniel Stojçevski, ndërsa nga koalicioni VLEN (Vredi) – Saranda Imeri dhe Zekirija Tairi.

Nga opozita, LSDM-ja do të përfaqësohet nga Oliver Spasovski dhe Jovana Trençevska, nga BDI-ja nga ish-deputetja Arta Biljali Zendeli dhe Blerim Bexheti, ndërsa nga Levica – Borislav Krmov dhe Rexhep Ismail. Nga krahu i Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Zijadin Sela do të jenë deputetët Ilire Dauti dhe Elmi Aziri, nga krahu i Arben Taravarit – Riad Shaqiri dhe Halil Snopçe, ndërsa nga partia e turqve – deputeti Bejxhan Iljas.

Pas formimit të grupit të punës, pritet të mbahet mbledhja konstituive ku do të përcaktohet mënyra e punës. Ende mbetet e paqartë se kush do të jetë kryetar i këtij grupi, pasi ambicie kanë shprehur si kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ashtu edhe VMRO-DPMNE-ja, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që kryesues të jetë një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë.

Nevoja për një Kod të ri Zgjedhor, i cili duhet të përfundojë deri në muajin qershor, është dakorduar në takimin e fundit të liderëve të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski. Kodi Zgjedhor është gjithashtu pjesë e agjendës reformuese. Nëse ndryshimet do të përfshijnë më shumë se një të tretën e dispozitave ekzistuese, atëherë do të duhet të hartohen rregulla krejtësisht të reja zgjedhore; përndryshe, do të bëhen vetëm ndryshime në ligjin aktual.

Është e sigurt se në Kodin e ri Zgjedhor do të përfshihen rekomandimet e OSBE/ODIHR nga zgjedhjet e vitit 2024. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse partitë do të arrijnë konsensus edhe për çështje të tjera, si ndryshimi i modelit zgjedhor (një njësi zgjedhore kundrejt gjashtë njësive aktuale), financimi dhe reklamimi i partive politike, pragu për kandidatët e pavarur, si dhe cenzusi për zgjedhjen e presidentit dhe kryetarëve të komunave.

Kodi Zgjedhor është një nga ligjet që ka pësuar më së shumti ndryshime deri tani – rreth 40 herë. Në mandatin e qeverisë së kaluar, Ministria e Drejtësisë kishte përgatitur një Kod të ri Zgjedhor, por ai nuk u procedua as në Qeveri e as në Kuvend, për shkak të mungesës së konsensusit politik.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter