Kërxhallovski: Lufta mes Evropës dhe SHBA-së duket e paimagjinueshme dhe ndoshta është larg realitetit

featured
Press Online
27 Janar 2026, 21:10

Lufta mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara duket e paimagjinueshme, të paktën deri para një periudhe të shkurtër, dhe me shumë gjasë është larg realitetit, vlerëson Aleksandar Kërxhallovski nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS) në emisionin e sotëm “Direktno” në TV Telma, përcjell PressOnline.al

“Pyetja për mua është pse në të vërtetë u arrit deri te një konstatim i tillë dhe çfarë qëndron pas gjithë kësaj? Ka shumë variante të ndryshme, sepse në fund gjithçka reduktohet në spekulime se pse u eskalua situata, sidomos rreth Groenlandës, deri në atë nivel”, thotë Kërxhallovski.

Ai nuk e përjashton mundësinë që, duke pasur parasysh ambiciet megalomane të Trumpit, të ketë ekzistuar një synim për ta poseduar Groenlandën si opsion.

“Që ai dëshiron të mbahet mend si presidenti që e ka zgjeruar ndjeshëm territorin e shtetit. Por, le të themi se kjo ishte një kafshatë shumë e madhe. Komente të tjera ishin se kjo po përdorej për të marrë koncesione për shumë çështje të tjera, nga mineralet deri te bazat ushtarake. Problemi që doli aty ishte se amerikanët tashmë i kanë të gjitha këto përmes marrëveshjes ekzistuese me Danimarkën nga viti 1951. Kështu që as ky shpjegim nuk qëndronte shumë”, vlerëson Kërxhallovski.

Sipas tij, një tezë e tretë ishte se bëhej fjalë për një defokusim nga çështje të brendshme – qoftë nga dosjet Epstein, qoftë nga ajo që po ndodhte në Minesota.

“Kur nuk ka rezultate në planin e brendshëm, atëherë le të bëjmë diçka – do ta rrëmbejmë Maduron, do të flasim për Groenlandën – për t’i mbuluar problemet në shtëpi”, shton ai.

Kërxhallovski përmendi edhe një tezë të katërt lidhur me deeskalimin e tensioneve mes SHBA-së dhe BE-së rreth Groenlandës.

“Është bursa. Pikërisht një ditë para Davosit, bursa ra me 4 për qind, ose rreth 1,2 trilionë dollarë. Për dy ditë ajo u rikthye, pasi Trumpi e zbuti retorikën duke thënë se nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake. Vlerat filluan gradualisht të rikuperohen, ndonëse nuk u kthyen plotësisht në nivelin e mëparshëm. Por në ato dy-tre ditë tregtimi, kur ndryshimet janë në nivel trilionësh, disa u bënë miliarderë ose miliarderët e rritën pasurinë e tyre me nga disa miliardë”, thotë Kërxhallovski.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter