Gjashtë medalje të arta, tre të argjendta, shtatë të bronzta dhe shtatë vende në kategorinë e “Më të mirët e më të mirëve” në Olimpiadën e Shkencave NEO në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e 300 nxënësve nga 30 vende të ndryshme të botës. Ky është bilanci i jashtëzakonshëm i nxënësve tanë të shkëlqyeshëm nga klasa e III deri në klasën e XII, në garat e matematikës, shkencës, biologjisë, kimisë, kodimit dhe inteligjencës artificiale.
Kënaqësi e veçantë që bashkë me zëvendësministrin e Arsimit, Kelmendi, t’i mirëpres në Ndërtesën e Qeverisë nxënësit që me përgatitjen, dijen dhe suksesin e tyre na bënë krenarë. Do ta kenë gjithmonë mbështetjen e Shtetit të Kosovës në rrugëtimin e tyre shkencor dhe profesional.
Vitin e kaluar kishim ndarë 26 mijë euro mbështetje për pjesëmarrjen e Ekipit të Kosovës në këto gara, kurse përgjatë gjithë mandatit tonë kemi ndarë rreth 800 mijë euro për organizata dhe institucione që kanë identifikuar nxënës me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente, si dhe 150 mijë euro shpërblime për nxënësit që kanë fituar në olimpiada dhe gara shkencore vendore dhe ndërkombëtare.


