Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka njoftuar publikisht dorëheqjen e tij të pakthyeshme nga drejtimi i partisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Kuvendit Qendror të Alternativës. Deri në kongresin e ardhshëm, drejtimin e partisë do ta marrë deputeti dhe zëvendëskryeministri i ardhshëm, Bekim Sali, informon PressOnline.al
Ibrahimi sqaroi se dorëheqja vjen si rezultat i bindjeve të tij politike dhe jo për shkak të pakënaqësive brenda Alternativës apo koalicionit VLEN. Ai theksoi se zhvillimet e fundit në VLEN imponuan një dinamikë të re, ndërsa vetë kishte planifikuar që të mos kandidonte sërish në kongresin e vitit të ardhshëm.
Në postimin e tij të gjatë, Ibrahimi reflektoi mbi 11 vitet e angazhimit politik, duke thënë se tashmë VLEN ka nevojë për një vizion të ri dhe energji të re politike. Ai tha se roli i tij në këtë fazë duhet të jetë hapja e rrugës për gjeneratën e re të liderëve.
Ibrahimi u shpreh se është krenar që ka qenë pjesë e procesit të largimit të “klasës së vjetër politike”, të cilën e akuzoi për korrupsion, zhvatje dhe degradim të përfaqësimit politik shqiptar në RMV. Sipas tij, kjo ka hapur rrugën për politika të reja dhe përfaqësim të ri.
Ai vuri në dukje edhe arritjet e Alternativës në promovimin e politikave konservatore, mbrojtjen e familjes tradicionale, moralit publik dhe identitetit kombëtar. Ndër të tjera, Ibrahimi shprehu krenari që shumë nga bashkëpunëtorët me të cilët nisi rrugëtimin politik sot mbajnë pozita të rëndësishme në institucionet e vendit.
Në mesazhin e tij, ai kërkoi falje publike për secilin që mund ta ketë lënduar gjatë debateve politike dhe tha se të gjitha ofendimet që i janë bërë gjatë viteve i ka falur.
Pas dorëheqjes, Ibrahimi tha se do t’i rikthehet projekteve të tij shkencore dhe krijuese, por do të mbetet në shërbim të Alternativës dhe VLEN-it në rolet që mund t’i besohen, sidomos në edukimin politik të të rinjve.
Postimin e mbylli me fjalët e profetit Muhamed: “O Zot, dëshmo!”


