Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar për rrjetin televiziv “Al Jazeera” ka minimizuar shqetësimet perëndimore se Rusia po përgatitet për konflikte të tjera në Evropë dhe ka sugjeruar që Bashkimi Evropian duhet të ketë një plan konkret paqeje për Ukrainën, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund luftës.
Në një intervistë për “Al Jazeera, dhënë në kuadër të konferencës “Berlin Global Dialogue” në fund të muajit të kaluar, Rama tha se do të ishte “krejtësisht marrëzi” për ndonjë shtet që të sulmonte anëtarët e BE-së apo të NATO-s.
“Rusia nuk do të sulmojë Shqipërinë dhe asnjë vend tjetër europian”, deklaroi ai. “NATO është gati për çdo lloj agresioni. NATO nuk ka arsye të ketë frikë nga askush, sepse është ushtria më e fortë në botë deri më tani”.
Nga 27 vendet anëtare të BE-së, 23 janë gjithashtu pjesë e NATO-s. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE që prej vitit 2014.
“Sot BE-ja po provokohet shumë nga Rusia”, shtoi Rama. “Vendet kufitare me Rusinë po përballen çdo ditë me provokime… BE-ja po mbron veten dhe po mendon si ta forcojë më tej mbrojtjen e saj”.
Që nga fillimi i shtatorit, disa vende europiane, përfshirë Poloninë, Finlandën, Letoninë, Lituaninë, Norvegjinë dhe Rumaninë, kanë akuzuar Rusinë për një sërë shkeljesh ajrore me dronë.
Tensionet u rritën më tej më 19 shtator, kur NATO njoftoi se kishte penguar tre avionë rusë “MiG-31” që dyshohej se kishin hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë, gjë që Moska e mohoi.
Shefi i shërbimeve gjermane të zbulimit, Martin Jager, paralajmëroi muajin e kaluar se Rusia mund të përpiqet të zgjerojë “sferën e saj të ndikimit më tej në perëndim të Europës”, por do të “shmangte një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake me NATO-n nëse është e nevojshme”.
Nga ana tjetër, Moska i ka hedhur poshtë akuzat se po dërgon qëllimisht dronë në hapësirat ajrore të vendeve evropiane, duke i akuzuar ato për “histeri të nxitur politikisht”.
Mungesa e një plani paqeje nga BE-ja “duket shumë e çuditshme”
Qeveria e Ramës ka qenë kritike ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe mbështet sanksionet e BE-së ndaj Moskës.
Megjithatë, ai i tha “Al Jazeera”-s, se “fakti që BE-ja nuk ka një plan paqeje më duket shumë i çuditshëm”.
Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump po përpiqet të sigurojë një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, Rama tha se BE-ja duhet të “mendojë për diplomacinë e saj dhe të promovojë vizionin e vet për paqe”.
Ai shtoi se zyrtarët e BE-së duhet të “gjejnë një mënyrë për të folur me rusët” për t’i dhënë fund luftës.
Mbrëmjen e të hënës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se nuk kishte parë asnjë plan evropian për t’i dhënë fund luftës, sipas agjencisë ”Interfax”.
Rama theksoi se Shqipëria, e cila nuk ka raportuar ndonjë shfaqje të dronëve rusë, nuk ndjen ndonjë presion të veçantë, ndryshe nga vendet e Evropës Lindore që kufizohen me Rusinë dhe janë në gjendje të lartë gatishmërie.
“Jam shqiptar”, tha ai. “Nuk kemi frikë… Nuk ka vend për armiqësi ruse në Shqipëri, sepse nuk ka as simpati për Rusinë”.
Para shkeljeve të dyshuara të hapësirës ajrore, Moska ishte akuzuar se përdorte “luftë hibride”, përfshirë sulme kibernetike dhe fushata dezinformimi për të krijuar përçarje brenda BE-së. Sipas bllokut europian, përdorimi i dronëve është pjesë e kësaj taktike.
Ekziston frika se lufta në Ukrainë mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor, rajon që përfshin Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ku ende ekzistojnë tensione të thella historike.
Më 22 tetor, kur kryeministri britanik Keir Starmer priti Ramën dhe pesë liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, ai e quajti rajonin “kaldajën e Europës, vendin ku vihet në provë siguria e kontinentit tonë”.
Të gjashtë vendet ndodhen në faza të ndryshme të negociatave për anëtarësim në BE, duke synuar reforma në gjyqësor, mirëqenie dhe institucione të tjera publike.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vlerësoi së fundmi përparimin e bërë nga Mali i Zi dhe Shqipëria.
Në një konferencë për shtyp në Tiranë, më 25 tetor, ajo tha se Shqipëria është “në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian”, duke shtuar se “ka pasur një përshpejtim të jashtëzakonshëm që nga viti 2022”.
Rama ra dakord, duke i thënë “Al Jazeera”-s se ndjenja e hapjes së BE-së ndaj vendeve të Ballkanit është përmirësuar që prej fillimit të luftës në Ukrainë.




