Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas identifikimit të viktimave shqiptarë në Zubin Potok, mes tyre veprimtari Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu. Të tretë nga ‘Grupi i Intelektualeve’ shqiptarë që u rrëmbyen dhe u zhdukën nga forcat serbe në vitin 1999:
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas identifikimit të viktimave shqiptarë në Zubin Potok, mes tyre veprimtari Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu. Të tretë nga ‘Grupi i Intelektualeve’ shqiptarë që u rrëmbyen dhe u zhdukën nga forcat serbe në vitin 1999:
Abdixhiku tha se ky është një lajm i dhimbshëm për familjet e tyre, por edhe një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë
“Ky është një lajm i dhimbshëm për familjet e tyre, por edhe një hap i rëndësishëm drejt zbardhjes së një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë. Më 19 prill 1999, ata u rrëmbyen dhe u zhdukën dhunshëm nga forcat serbe, ndërsa për 27 vjet, familjet e tyre pritën të dinin të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre”.
Kreu i LDK-së thekson se Idriz Rrecaj ishte ndër ata burra që në vitet më të vështira të rezistencës shqiptare qëndruan në ballë të organizimit politik e kombëtar.
“Si kryetar i Degës së LDK-së në Skënderaj, ai përfaqësoi një gjeneratë veprimtarësh që, në kushtet e okupimit, e mbajtën gjallë qëndresën, organizimin dhe shpresën për liri. Përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare dhe mbështetja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dëshmojnë se rrugët e rezistencës politike dhe të luftës për çlirim ishin pjesë e së njëjtës përpjekje historike të popullit tonë”.
“Edhe Adem Beqiri e Sali Mëziu ishin pjesë e kësaj përpjekjeje. Ata nuk jetuan për veten e tyre, por për një ideal që ishte më i madh se jeta e tyre: çlirimin e Kosovës”, tha Abdixhiku.
Ndër të tjera, ai shton se identifikimi i tyre nuk është vetëm fundi i një pritjeje të gjatë familjare, por edhe një dëshmi tjetër e asaj që Kosova ka përjetuar.
“Është kujtesë se liria jonë ka një çmim të paguar me jetë dhe se krimet e kryera ndaj popullit shqiptar nuk mund të mbeten pa emër, pa dokumentim dhe pa drejtësi. Për Kosovën, zbardhja e fatit të të gjithë të zhdukurve dhe dokumentimi i krimeve të luftës duhet të mbeten përgjegjësi e përhershme institucionale”.


