
Kandidatja për kryetare të Komunës së Drenasit nga Lëvizja Vetëvendosje, Egzona Tërdevci, në debatin zgjedhor në RTV21 prezantoi programin e saj garues në zgjdhjet e 12 tetorit.
Ajo theksoi se Drenasi është drejtuar për dy dekada nga i njëjti subjekt politik, që sipas saj, e ka trajtuar pronën publike si pronë personale dhe ka dështuar në adresimin e problemeve themelore, si mungesa e ujit të pijshëm dhe kanalizimi në fshatra.
“Drenasi është udhëhequr për 20 vjet nga i njëjti subjekt, i cili ka trajtuar pronën publike si plaçkë personale. Ka pasur keq-qeverisje të vazhdueshme. Mungesa e ujit të pijshëm dhe e kanalizimit është problematikë e madhe për fshatrat. Gjatë mandatit tim katërvjeçar, nuk do të ketë asnjë qytetar që të vuajë nga mungesa e ujit apo e kanalizimit. Unë, si kryetare e ardhshme, nuk do të lë derë pa trokitur për të gjetur zgjidhjen për ujin dhe kanalizimin, sepse mënyra si është planifikuar infrastruktura deri tani ka qenë e gabuar,” tha Tërdevci./21Media


