Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Qeverinë lidhur me vonesat në realizimin e projektit për ndërtimin e Fabrikës së Municionit në Gjakovë.
Në një postim, Ramadani ka deklaruar se marrëveshja për këtë fabrikë ishte bërë në dhjetor të vitit 2024, por deri në fillim të nëntorit të vitit 2026, sipas tij, nuk kishte nisur vendosja e asnjë tulle në këtë projekt.
Ai ka thënë se këtë çështje e kishte ngritur edhe në Kuvend, përmes diskutimeve dhe pyetjeve parlamentare.
“Veç presioni publik i fut në lëvizje këta qeveritarë. Në dhjetor 2024 kanë bërë marrëveshjen për Fabrikën e Municionit. Deri në fillim të nëntorit 2026, asnjë tullë nuk e kanë vënë”, ka shkruar Ramadani.
Tutje, deputeti ka thënë se pas ngritjes së kësaj çështjeje dhe reagimit të opinionit publik, është publikuar lajmi se punimet për ndërtimin e fabrikës kanë filluar.
“Ngrita këtë në Parlament, në diskutim dhe me pyetje parlamentare. Opinioni publik u trondit me të vërtetën që në Gjakovë as që kanë nisur punimet. Tashmë (dje) doli lajmi që paskan filluar”, ka shkruar ai.
Ramadani ka paralajmëruar se do të kërkojë llogaridhënie për veprimet dhe mosveprimet lidhur me këtë projekt.
“Do t’i mbajmë përgjegjës për secilin veprim e mosveprim. Do të japin llogari për të metat!”, ka përfunduar Ramadani.


