Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njofton se deri në përfundim të afatit ligjor për dorëzimin e listave zgjedhore janë pranuar gjithsej 312 kandidatura për kryetarë komunash dhe 575 lista për këshilltarë në komunat dhe në Qytetin e Shkupit. Listat janë dorëzuar nga partitë politike si dhe nga grupe të pavarura të votuesve, përcjell PressOnline.al.
Numri më i madh i listave është regjistruar për Qytetin e Shkupit, ku janë paraqitur 18 kandidatë për kryetar komune dhe 20 lista për Këshillin e Qytetit.
Sipas kalendarit zgjedhor, komisionet komunale kanë detyrimin që menjëherë pas marrjes së listave, por jo më vonë se 14 shtatori, t’u drejtohen institucioneve kompetente për verifikimin e kushteve ligjore të kandidatëve. Pas këtij procesi dhe korrigjimit të çdo parregullsie, listat e konfirmuara do t’i dërgohen KShZ-së për përcaktimin e renditjes, jo më vonë se 20 shtatori 2025.
KShZ do të publikojë listën e plotë të kandidatëve për secilën komunë pas konfirmimit përfundimtar, ndërsa më së voni deri më 27 shtator subjektet politike që garojnë në zgjedhje do të duhet të nënshkruajnë Kodin për Zgjedhje të Drejta dhe Demokratike.







