Gjatë një takimi me Forumin e Gruas të Koalicionit Vlen, kandidati për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti, u shpreh se angazhimi i tij dhe i ekipit të tij do të jetë gjithmonë në shërbim të komunitetit çairas.
Në fjalimin e tij, Mexhiti theksoi lidhjen e veçantë që ka me Çairin, duke përmendur kontributet e kësaj pjese të Shkupit në fusha të ndryshme: humanizëm, arsim, betejë politike dhe pjesëmarrje në ngjarjet e vitit 2001. Ai kujtoi edhe ndikimin e Çairit në kulturë, duke përmendur grupin rok “Telex” dhe këngën e tyre “Vetëm për ty”, si simbol të përkushtimit ndaj qytetit, përcjell PressOnline.al.
“Krejt qenien tonë, krejt dijen tonë, krejt potencialin tonë në funksion vetëm për ty, Çair,” u shpreh Mexhiti, duke e paraqitur këtë moto si udhërrëfyes jo vetëm për fushatën zgjedhore, por edhe për katër vitet e ardhshme të qeverisjes së mundshme.
Takimi me Forumin e Gruas të Vlen-it u fokusua mbi rëndësinë e përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe planifikimin e projekteve lokale që prekin drejtpërdrejt komunitetin. (PressOnline.al)







