Izet Mexhiti: Po largohen gypat e fundit të azbestit në Çair – investim mbi 1 milion euro në infrastrukturën nëntokësore të Sahat Kullës

featured
Press Online
27 Gusht 2025, 14:03

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, ka theksuar rëndësinë e investimeve që po zhvillohen aktualisht në lagjen Sahat Kullë, ku sipas tij, po realizohet një projekt madhor për zëvendësimin e gypave të azbestit dhe ndërtimin e infrastrukturës së re nëntokësore, përcjell PressOnline.al.

Mexhiti theksoi se ky është një investim i Ministrisë së Ekologjisë në bashkëpunim me Komunën e Çairit, me vlerë mbi 1 milion euro, jo vetëm që garanton një mjedis më të shëndetshëm për banorët, por ka edhe rëndësi të madhe urbanistike e turistike.

“Në këto rrugë dhe rrugica investohet tërësisht për infrastrukturë nëntokësore. Këto janë gypat e fundit të azbestit që po largohen në Komunën e Çairit, të cilët për vite të tëra kanë paraqitur rrezik shëndetësor, sepse janë kancerogjenë. Tashmë kemi infrastrukturë të re nëntokësore dhe punohet intensivisht në disa pika të lagjes. Së shpejti do të përfundojmë këtë projekt madhor për Sahat Kullën”, deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se projekti ka edhe një dimension tjetër – lidhjen me Çarshinë e Vjetër të Shkupit, e cila është zonë me potencial të madh turistik dhe ekonomik.

“Ky investim nuk është vetëm për banorët e lagjes, por ndihmon edhe ringjalljen dhe revitalizimin e Çarshisë së Vjetër, ku ka dhjetëra hotele dhe ku çdo ditë vijnë turistë nga vende të ndryshme. ”, tha ai.

Projekti në Sahat Kullë shihet si një nga ndërhyrjet e rëndësishme infrastrukturore të viteve të fundit në Çair, me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e turizmit në kryeqytet. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter