Në prag të zgjedhjeve lokale të caktuara për më 19 tetor, të shtunën, më 23 gusht, fillon verifikimi publik i Listës Zgjedhore, i cili do të zgjasë 20 ditë, deri më 11 shtator në mesnatë.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do ta mbyllë dhe nënshkruajë versionin përfundimtar të Listës Zgjedhore më së voni më 3 tetor. Gjatë periudhës së verifikimit, qytetarët mund të dorëzojnë kërkesa me shkrim për regjistrim, plotësim apo fshirje të të dhënave, nëpërmjet zyrave rajonale të KSHZ-së, zyrave lokale sipas vendbanimit ose përmes postës elektronike. Kërkesës duhet t’i bashkëngjiten edhe dokumentet përkatëse.
Verifikimi i Listës Zgjedhore u mundësohet edhe personave në paraburgim dhe të burgosurve, të cilët kërkesat i dorëzojnë përmes organeve për zbatimin e sanksioneve. KSHZ është e obliguar të marrë vendim brenda 24 orëve nga pranimi i kërkesës, ndërsa në rast refuzimi qytetari ka të drejtë ankese në Gjykatën Administrative, e cila gjithashtu vendos brenda 24 orëve.
Partitë politike kanë afat deri më 11 shtator të kërkojnë dorëzimin e Listës Zgjedhore, të cilën KSHZ-ja ua shpërndan më së voni më 14 shtator. Më pas, deri më 19 shtator, partitë mund të parashtrojnë kërkesa për ndryshime eventuale.
Në proces përfshihen edhe të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Politikës Sociale, si dhe nga gjykatat themelore për personat pa kapacitet juridik, ata që mbushin 18 vjeç deri në ditën e zgjedhjeve, ose që kanë aplikuar për dokumente të reja identiteti.
Lista Zgjedhore, me të gjitha ndryshimet nga verifikimi publik, do të mbyllet më së voni më 26 shtator, ndërsa versioni përfundimtar i nënshkruar nga KSHZ-ja do të publikohet më së voni më 3 tetor, 15 ditë para zgjedhjeve lokale.


