Një histori rrëqethëse, një fëmijë i zhdukur dhe një vrasës serial nga e kaluara. “The Whisper Man”, thrilleri i ri psikologjik i krimit që sapo ka mbërritur në Netflix, po tërheq vëmendjen e publikut jo vetëm për historinë e tij misterioze, por edhe për kastin e fuqishëm.

Në film interpretojnë Robert De Niro, Adam Scott dhe Michelle Monaghan, ndërsa historia është bazuar në bestsellerin ndërkombëtar të vitit 2019 me të njëjtin emër, shkruar nga Alex North.
Filmi është drejtuar nga James Ashcroft dhe në kast përfshihen gjithashtu Hamish Linklater, Owen Teague, Acston Luca Porto dhe Michael Keaton.

Por pavarësisht emrave të mëdhenj, “The Whisper Man” duket se nuk i ka bindur të gjithë kritikët.
Reagimet ndaj filmit kanë qenë të ndryshme. Disa kritikë e kanë cilësuar si një thriller të modës së vjetër, që mbështetet te atmosfera e errët, misteri dhe tensioni psikologjik.
Të tjerë, megjithatë, kanë qenë më skeptikë, duke argumentuar se edhe një kast me aktorë të kalibrit të De Niros nuk arrin ta fshehë një histori që mund të jetë e parashikueshme.
Megjithatë, premisa e filmit premton mjaftueshëm mister për të tërhequr adhuruesit e zhanrit.
Historia ndjek Tom Kennedy-n, jeta e të cilit përmbyset kur djali i tij tetëvjeçar rrëmbehet.
Ndërsa hetimi për zhdukjen e tij përparon, Tom fillon të kuptojë se rasti mund të ketë lidhje shqetësuese me krime të së kaluarës.
Për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me të birin, ai detyrohet të rikthejë një marrëdhënie të komplikuar me të atin, një ish-detektiv me një të kaluar të errët.

Babai i Tomit është pikërisht njeriu që dikur kishte arritur të kapte një vrasës serial të frikshëm, të njohur me nofkën “Njeriu Pëshpëritës”.
Dhe pikërisht këtu nis misteri: a është rrëmbimi i djalit të Tomit thjesht një krim i ri, apo dikush po rikthen në jetë makthet e së kaluarës?
Me Robert De Niro-n në një prej roleve kryesore dhe një histori që ndërthur krimin, misterin dhe marrëdhëniet familjare, “The Whisper Man” po kërkon vendin e tij mes thrillerëve më të komentuar të Netflix-it.
Nëse është një histori e parashikueshme apo një thriller klasik që ia vlen të shihet, duket se këtë herë vendimin përfundimtar do ta japin vetë shikuesit.


