Me rastin e përvjetorit të rënies heroike të Bekim Berishës – Abeja dhe bashkëluftëtarëve të tij, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kujtuar me nderim figurën e tyre dhe kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës.
“Çdoherë që vjen muaji gusht, kujtojmë rënien heroike të Bekim Berishës – ABEJA dhe Bedri Shalës, të cilët ranë dëshmorë së bashku me shokët Elton Zherka dhe Përmet Vula,” shkroi Ahmeti në një postim në rrjete sociale.
Ali Ahmeti vlerësoi Bekim Berishën si një hero të pashoq, i cili dha një kontribut të çmuar në luftërat për çlirim në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë dhe që është nderuar me dekorata nga tre presidentë.
“Kur vendlindja e lëshoi kushtrimin, ABEJA dhe Bedri Shala, bashkë me shokët e idealit, në pranverën e vitit 1998 kapën armët për të ujitur me gjakun e tyre rrënjët e lirisë së Kosovës. Siç u rritën e u edukuan, luftuan heroikisht dhe jetën ia falën tokës së vet,” theksoi më tej Ahmeti.
Në përmbyllje, lideri i BDI-së u shpreh: “Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta dhe për të gjithë dëshmorët e lirisë! Lavdi!”







