Gazetari dhe analisti i njohur Mentor Nazarko ka dhënë një deklaratë ekskluzive për PressOnline.al, ku flet mbi aktualitetin politik në Maqedoninë e Veriut dhe vështirësitë me të cilat po përballet faktori politik shqiptar.
“Është krejtësisht e qartë që faktori politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut ndodhet sot përballë vështirësive të mëdha. Partitë shqiptare kanë shtuar animozitetin dhe janë përçarë edhe më shumë mes tyre, gjë që ka sjellë dobësim të statusit dhe të korpusit të të drejtave të shqiptarëve si komunitet, qoftë brenda institucioneve, brenda shoqërisë apo edhe në raport me shtetin maqedonas,” u shpreh Nazarko për PressOnline.al
Sipas tij, faktori maqedonas, duke u ndjerë i tjetërsuar dhe i pasigurt, “ka zgjedhur të përqafojë si aleatë më të afërt Serbinë dhe shtete të tjera, i motivuar nga një logjikë etnocentrike dhe nga frika se po humbet pozitat dominuese në ‘shtëpinë e vet’.” Kjo, sipas Nazarkos, ka ndikuar që partia VMRO – DPMNE të ketë rritje elektorale dhe ta thellojë edhe më tej polarizimin.
Në këtë situatë, Nazarko thekson se “faktori shqiptar ka nevojë për një lexim të ri të situatës dhe për një aksion të ri politik”. Ai shton se nuk ka një recetë të vetme, por “çdo zgjidhje që e shton fuqinë politike të faktorit shqiptar është plotësisht e justifikuar: qoftë përmes krijimit të një koalicioni besimi, një komiteti konsultativ mes grupeve kryesore, apo edhe përmes krijimit të një subjekti të përbashkët.”
Megjithatë, ai paralajmëron se afrimi i zgjedhjeve lokale mund të shtojë edhe më shumë përçarjen mes partive shqiptare, duke e bërë të vështirë forcimin e tyre në skenën politike të Maqedonisë së Veriut.(PressOnline.al)



