TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë bën me dije se ka proceduar penalisht pesë persona në Vlorë për zaptim të hapësirave publike dhe ushtrim të aktiviteteve tregtare pa regjistrim.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit, thuhet se strukturat e drejtorisë vendore të Policisë Vlorë, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në kuadër të kontrolleve në terren për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe për verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarive tregtare, ka konstatuar pesë raste në shkelje.
Sipas Policisë, në lagjen “11 Janari” u konstatua se shtetasi E. H. ushtronte aktivitet tregtar për dhënien me qira të automjeteve, në një hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme. Shtetasi I. D. ushtronte aktivitetin tregtar të llojit “Fast Food”, po ashtu në një hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme.
Në lagjen “Uji i Ftohtë” u konstatua se shtetasi K. B. ushtronte aktivitet tregtar për parkimin e automjeteve, pa qenë i pajisur me NIPT dhe pa kasë fiskale. Shtetasi E. F. ushtronte po të njëjtin aktivitet, i papajisur me lejen e ushtrimit të aktivitetit dhe pa kasë fiskale.
Në lagjen “10 Korriku” u konstatua se shtetasi M. I., 64 vjeç, ushtronte aktivitet tregtar për parkimin e automjeteve, në një hapësirë publike të zënë në mënyrë të paligjshme, i papajisur me lejen përkatëse dhe me punonjës të paregjistruar.
Policia njofton se për të pesta rastet nisi procedimi penal ndaj shtetasve E. H., 32 vjeç, I. D., 58 vjeç, K. B., 39 vjeç, E. F., 46 vjeç dhe M. I., 64 vjeç, për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore” dhe “Punësimi i paligjshëm”.