Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë një takimi me të rinjtë në Tetovë, përsëri përdori referenca fetare për të forcuar mesazhin e tij politik. Ai i ftoi të rinjtë t’i bashkohen Frontit Kombëtar, duke theksuar se ky front ka vend për të gjithë, “por jo për ata që kanë bërë gjynahe dhe që se kalojnë urën e siratit”.
“Në Frontin Kombëtar ka vend për të gjithë, por jo për ata që kanë bërë gjynahe dhe nuk janë të gatshëm të përgjigjen për veprat e tyre”, tha Ahmeti, duke përdorur terminologji fetare për të forcuar mesazhin e tij, përcjell PressOnline.al
Ahmeti, i njohur për përdorimin e shpeshtë të elementeve fetare në fjalimet e tij, u shfaq edhe kësaj here si një gjykues moral, duke hyrë në interpretime teologjike me qëllim të dhënies së mesazheve politike.
Nga ana tjetër, kritikët theksojnë se këto deklarata më shumë synojnë krijimin e një aureoleje religjioze rreth Ahmetit, sesa kanë një dimension të vërtetë shpirtëror. “Është e qartë që përdorimi i referencave fetare i shërben më shumë imazhit të tij politik sesa një mesazhi të pastër shpirtëror,” thonë kritikët, duke përmendur se ai shpesh akuzohet për veprime që nuk përputhen me moralin që predikon.







