Një vlerë e ngritur e kolesterinës LDL mund të zbulohet me një test të thjeshtë gjaku dhe ulja e tij mund të shpëtojë një jetë. Diagnoza mund të bëhet me analizë të thjeshtë laboratorike të gjakut, duke përcaktuar statusin e lipideve
Lipidet janë substanca që na shërbejnë si burim energjie në trup. Ne mund t’i marrim ato me ushqim, por organizmi ynë mund t’i krijojë ato edhe vetë. Edhe pse të gjitha lipidet janë të rëndësishme, kolesterina dhe trigliceridet kontribuojnë më së shumti në shfaqjen e disa gjendjeve patologjike, prandaj ato përcaktohen më shpesh në gjak.
Statusi i lipideve është një analizë laboratorike e kërkuar nga mjeku, me qëllim kontrollin e vlerave të lipideve, pra LDL-në, HDL-në, VLDL-në, triglicerideve dhe kolesterinës totale, të cilat kur janë jashtë kufijve të vlerave normale, paraqesin rrezik për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, si sulmi në zemër ose goditje në tru, si dhe sëmundje të enëve periferike të gjakut, transmeton Telegrafi.
Profili lipidik është një grup testesh me të cilat përcaktohen vlerat e lipideve në gjak, dhe përfshin matjen e katër llojeve të yndyrnave në gjak.
▪ Kolesteroli total: paraqet shumën e përgjithshme të kolesterolit në gjak; vlerat e rekomanduara janë < 5 mmol/l për meshkuj dhe femra.
▪ Kolesteroli LDL: vlerat e tij të larta në gjak shkaktojnë grumbullimin e shtresave yndyrore të quajtura pllaka, të cilat në murin e arterieve shkaktojnë aterosklerozë. Vlerat e rekomanduara varen nga rreziku i llogaritur kardiovaskular. Koncentrimi i tij në gjak duhet të jetë më i ulët se 2.6 mmol/l, përkatësisht më i ulët se 1.8 mmol/l te personat me rrezik të lartë kardiovaskular.
▪ Trigliceridet: vlera e tyre e lartë nënkupton marrje më të madhe kalorish sesa shpenzohet. Vlera e rekomanduar në organizëm është më pak se 1.7 mmol/l.
Vlera e kolesterolit total mund t’i ndihmojë mjekut të përcaktojë rrezikun individual kardiovaskular, pra, gjasat për rrezik 10-vjeçar nga sulmi në zemër apo në tru.
Rreziqet nga kolesteroli i lartë
Vlerat e larta të kolesterolit LDL, të ashtuquajturit “kolesterol i keq”, janë faktor kryesor rreziku për sulm në zemër dhe tru. Mos reagoni kur është tepër vonë; me një analizë të thjeshtë laboratorike mund të mbroni me kohë enët tuaja të gjakut!
A e dini sa është vlera juaj e kolesterolit LDL?
Mjeku juaj mund t’ju sqarojë për të gjitha detajet e nevojshme dhe t’ju rekomandojë cilat analiza duhen kryer. Do të merrni shpjegime për vlerat e kolesterolit tuaj dhe do të bisedoni për mundësitë e trajtimit, nëse vlerat e kolesterolit nuk janë ashtu siç duhet të jenë.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për personat që pijnë duhan, kanë gjendje të tjera shëndetësore, si diabeti apo gjendje inflamatore, ose që në familje kanë persona të prekur nga sëmundje të zemrës, tension i lartë apo goditje në tru.
Personat që duhet të kontrollojnë kolesterolin e tyre
▪ Personat me rrezik të lartë kardiovaskular duhet të kontrollojnë kolesterolin LDL shumë më shpesh.
▪ Personat me sëmundje kardiovaskulare dhe ata me rrezik të shtuar duhet ta kontrollojnë më shpesh kolesterolin dhe faktorët e tjerë të rrezikut.
▪ Nëse në familje ka anëtarë që kanë përjetuar infarkt apo goditje në tru në moshë shumë të re, vlera e kolesterolit duhet të përcaktohet sa më herët që të jetë e mundur; mundësisht që në fëmijëri.
Është e rëndësishme të kontrollohet nëse ekziston rreziku nga kolesteroli i lartë i trashëguar dhe sëmundja që quhet hiperholesterolemia familjare.
Çdo ulje e kolesterolit LDL për 1 mmol/l ul sëmundjet kardiake për 22 për qind.