Mickoski i shpall “luftë” BDI-së, kritika të ashpra për retorikën e tij!

featured

Kryeministri Hristijan Mickoski i ka shpallur publikisht “luftë” partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim. Në fjalimin e tij në Veles me rastin e përvjetorit të Forumit Rinor të VMRO-DPMNE-së, ai paralajmëroi drejtësi dhe luftë kundër sistemit që mbron kriminelët dhe luftë për reforma dhe degradimin dhe riedukimin e BDI-së.

“Dua të them se dy ciklet e ardhshme zgjedhore – zgjedhjet lokale që po afrohen dhe ato parlamentare, kurdo që të mbahen – do të jenë betejë për dy gjëra të mëdha që varen nga e ardhmja e shtetit. E para është drejtësia dhe lufta kundër sistemit që i mbron kriminelët, dhe e dyta është lufta për reforma dhe deklasimi dhe riedukimin e BDI-së. Ashtu siç premtova që BDI do të shkojë në opozitë – dhe kjo ishte premtimi i parë i përmbushur i këtij mandati – tani po ju them se në këtë shtet duhet të ketë rregull dhe të respektohen ligjet”, theksoi Kryeministri, përcjell PressOnline.al

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, mendon ndryshe. Ai thotë se sa herë që dëgjoj Kryeministrin të thotë se arritja më e madhe e kësaj qeverie është fitorja ndaj BDI-së (lexo: ndaj shqiptarëve), aq më shumë bindem se zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhje, por një referendum.

Ndërkohë, deputetja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, thotë se sa më shumë që kryeministri flet për dërgimin e BDI-së në opozitë, aq më shumë konkurse me 0 shqiptarë më dalin përpara syve.

“Sepse, kauza e tij ‘BDI në opozitë’ tani po realizohet si kauzë ‘0 shqiptarë në Konkurse të ndryshme’. Le të përpiqet t’i respektojë shqiptarët dhe të drejtat e tyre demokratike duke u dhënë hapësirën e duhur institucionale, sepse BDI në OPOZITË ËSHTË!”, reagoi deputetja.
Nga ana tjetër, kjo retorikë e Mickoskit ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.

Ndër të tjera, ata thonë se reformat duhet të fillojnë nga fjalori dhe retorika e Mickoskit, nga sjellja te veprimi.

“A nuk është kjo provë se Mickoskit i duhet të reformohet?”

“Reformat duhet të fillojnë nga fjalori, nga sjellja te veprimi.”

“Një retorikë dhe sjellje kaq radikale na ka sjellë shumë vuajtje, vështirësi dhe varfëri në të kaluarën.”

“Rruga që të çon drejt progresit dhe perspektivës nuk është kështu!”

Këto janë disa nga reagimet në mediat sociale.(PressOnline.al)

Mickoski i shpall “luftë” BDI-së, kritika të ashpra për retorikën e tij!
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.