Ende s’ka pr/ligj që zëvendëson balancuesin, zvarritja dëmton shqiptarët

featured

Përkundër premtimeve të njëpasnjëshme nga qeveria se është “gati për t’u propozuar”, ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat vazhdon të zvarritet pa afat të qartë. Ky ligj pritet të zëvendësojë sistemin e Balancuesit, i cili u abrogua nga Gjykata Kushtetuese, por megjithatë, asnjë draft konkret nuk është vënë ende në tryezë.

Profesori universitar Ariton Rama vlerëson se në frymë të proporcionalitetit të interesave ndëretnike është e nevojshme që ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të miratohet sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Sipas tij, çdo zvarritje e këtij procesi shkon në dëm të artikulimit të interesave dhe kërkesave të komuniteteve që jetojnë në vend, e me theks të veçantë të shqiptarëve.

“Përfaqësimi i drejtë apo ligji përpërfaqësim të drejtë do të nënkuptonte edhe bazamentin funksional dhe efektiv të parimeve multi-etnike të Maqedonisë së Veriut, andaj normalisht që duhet apeluar edhe maksimalisht që sa më shpejtët të jetë prezente në tavolinë për ta votuar dhe për t’i dhënë harmoninë reale të sistemit politik të Maqedonisë së Veriut mbi bazën e parimeve multi-etnike. Sepse, kjo sa më shumë zvaritet në konjukturat legjislative dhe parlamentare, kjo do të nënkuptonte në një farë mënyrë mos realizimin e përfaqësimit të drejtë të zërit dhe njëkohësisht të kërkesave, intereasave të komuniteteve”, u shpreh profesori universitar Ariton Rama.

Qeveria ende nuk ka dhënë një afat të saktë se kur do të jetë gati propozim-ligji për përfaqësim të drejt në sektorin publik. Nga atje thonë se qëllimi është hartimi i një ligji cilësor, që do të sigurojë përfaqësim të drejt dhe profesionalizim të administratës.

“Me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë, është në rrjedh e sipër përgaditja e Ligjit për përfaqësim të drejt, i cili ka për qëllim të jetë në përputhje me Kushtetutën, për çka do të kërkojmë mendim paraprak nga Komisioni i Venedikut. Në përgatitjen e zgjdhjes ligjore po punon një grup punues i cili përbëhet nga ekspertë dhe profesor. Sapo të ketë një zgjidhje cilësore, për të njëjtën do të informojmë në kohë opinionin”, thonë nga Qeveria.

Përndryshe ky propozim-ligj po premtohet nga përfaqësuesit shqiptarë në qeveri që prej abrogimit të Balancuesit nga Gjykata Kushtetuese në tetorin e vitit të kaluar.(TVM2)

Ende s’ka pr/ligj që zëvendëson balancuesin, zvarritja dëmton shqiptarët
|
©Press Online - Misioni ynë është që përmes gazetarisë të ndikojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të hapur dhe më demokratike.