Me gjashtëvjeçarët e këtij viti do të duhej të formoheshin tre klasë, por deri më tani janë regjistruar vetëm 18 nxënës në klasë të parë, në shkollën “Dervish Cara” të fshatit Pallçisht i Poshtëm, në Komunën e Bogovinës. Edhe pse të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2020 në këtë fshat kanë lindur 65 fëmijë, 45 prej tyre ndodhen në mërgim. Shumica e tyre tashmë procesin edukativ e ndjekin në Zvicër, ku është shpërngulur edhe pjesa më e madhe e banorëve të këtij fshati. Drejtoresha e shkollës, Zenihate Memeti, pret që ky numër të arrijë deri në 25, por deri më tani janë regjistruar vetëm 18 nxënës.
“Në listën nga MPB-ja që e marrim, domethënë nga policia e shtetit, i kemi gjithsej 63 nxënës. Ndërsa kemi informacione, sepse së bashku me psikologen, me stafin që e kemi, bashkëpunimin profesional, kemi informacione se duhet të regjistrohen 25 nxënës. Për momentin janë të regjistruar 18 nxënës në shkollën qendrore”, tha Zenihate Memeti – drejtoreshë e Shkollës “Dervish Cara”.
Nga Bashkësia Lokale, Vullnet Akiki, thotë se numri i nxënësve po pëson rënie çdo vit e më shumë. Sipas tij, kushtet e jetesës i kanë detyruar banorët që fillimisht të largohen vetë në mërgim e më pas të marrin edhe familjet e tyre.
“Në vitet e fundit është një numër shumë i vogël. Dhe vazhdon, numri zvogëlohet akoma më shumë për shkak të kushteve… disa familje jetojnë në mërgim, kanë krijuar familje atje për kushte më të mira. Këtë vit besoj se janë diku te 19 nxënës. Vitin e kaluar kanë qenë 24. Domethënë është numër më i vogël këtë vit”, u shpreh Vullnet Akiki – kryetar i Bashkësisë Lokale.
Akiki kujton se gjatë vitit 1990, kur vetë ishte në klasë të parë, në atë kohë ka pasur tre paralele me nga 33 nxënës. Ndërkaq sot, nga gjenerata e tij kanë mbetur vetëm pesë persona në fshat, ndërsa pjesa tjetër është larguar në mërgim.
“Unë jam gjenerata e vitit 1984. Fillimin e shkollës e kemi filluar klasën e parë në vitin 1990. Përfundimi ka qenë në vitin 1998/99. Në atë kohë ne kemi qenë tre klasë në fshatin Pallçisht, edhe pse kemi qenë me fshatin Kallnik bashkë, por shumica kemi qenë nga fshati Pallçisht. Nga ajo gjeneratë tash momentalisht, nga 33 nxënës sa kemi qenë në klasë — domethënë tre klasë — në fshatin Pallçisht kemi ngelur vetëm pesë vetë”, tha kryetari i Bashkësisë Lokale, Vullnet Akiki.
Gjatë 7 viteve të fundit numri i përgjithshëm i nxënësve në Maqedoni është zvogëluar për rreth 17.000. Sa i përket filloristëve, për vitin shkollor 2026/2027 janë regjistruar rreth 14.500 nxënës, që është një rënie prej afro 9.000 fëmijësh më pak krahasuar me vitin shkollor 2016/2017.


