Në Prishtinë gjatë ditës është mbajtur një takim koordinues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me drejtues dhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit, Këshillit Gjyqësor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Diskutimet u përqendruan në përgatitjet për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt.
“Sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u mbajt takimi në mes të drejtuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme për të diskutuar për përgatitjet, bashkëpunimin dhe bashkërenditjen e aktivitete për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Në këtë takim, përveç kryesuesit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, morën pjesë Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,
Gazmend Hoxha, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Artan Abazi dhe Koordinatorja nga ky institucion, Fatime Dërmaku dhe kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Zene Leku”, thuhet në njoftim.
Radoniqi theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është jetik për të siguruar zhvillimin e një procesi zgjedhor të rregullt, transparent dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Në këtë takim, kryesuesi i KQZ-së, Radoniqi tha se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor në krijimin e kushteve që procesi zgjedhor të zhvillohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.
Drejtues dhe përfaqësuesit e institucioneve treguan për planet e tyre lidhur me angazhimin në ditën e zgjedhjeve në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e procesit zgjedhor”, thuhet më tej në njoftim.






