Në fund të vitit 2022 në shtëpinë e të moshuarve Orenda në Pejë ndodhi një rast që tronditi opinionin publik.
Nga aty dolën pamje që një e moshuar u keqtrajtua nga disa infermiere të kësaj shtëpie private të moshuarve. Për këtë rast akoma nuk e ka dhënë fjalën e fundit drejtësia.
Tash rastin e ka në dorë Gjykata e Pejës ndonëse seanca e fundit për këtë rast është mbajtur në korrik. Ajo sikurse seancat e tjera vazhdojnë të jenë të mbyllura për publikun.
Gjithsesi, zhvillimi i fundit që ka ndodhur në këtë rast është që përfaqësuesi juridik i infermieres Remzije Kuqi ka kërkuar që të përjashtohet gjyqtarja e rastit. Arsyetimin për këtë ai e tregoi për Dukagjinin.
“Kam kërku që të përjashtohet për shkak se përfaqësuesja e palës së dëmtuar, të ndjerës nuk i plotëson kushtet ligjore për të qenë palë në procedurë në cilësi të dëmtuarës dhe në këtë situatë kam kërkuar që fillimisht të merret aktvendim për përjashtimin e vajzës së ndjeres, gjykata ka refuzu dhe si rrjedhojë ne kemi kërku që të përjashtohet gjyqtarja e rastit që është e ngarkuar me lënden,” tha Faruk Binakaj – Avokati i Remzije Kuqit.
Gjykata këtë kërkesë ia ka refuzuar Binakajt dhe ai thotë se nuk do ta vazhdoj ankesën në Apel por do të pres se si do të shkoj procesi.
Ndërkohë, avokati i familjes së të dëmtuarës tashmë të ndjerës po thotë se kërkesa ka qenë vetëm për të zgjatur procesin gjyqësor. Ai ka kritika për vonesat e krijuara.
“Unë pres që seanca të caktohet shpejt sepse një kërkesë e tillë për përjashtim të gjyqtares së çështjes ka ardhur në një moment kur pritët që të zbatohet procedura e provave dhe që të merret një vendim meritor në këtë çështje penale e cila edhe është zgjatur dhe se kërkesat e mbrojtjes janë irracionale,” ka thënë Meshari Selimaj – Avokati i viktimës.
Pas publikimit të videos në rrjete sociale katër infermieret kishin përfunduar në pranga të policisë.


