Pas zbulimit të 6 viktimave të reja mes izraelitëve të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor, forumi i familjeve të pengjeve nis apelin për një grevë të përgjithshme që do të mbahet nesër, duke ndalur ekonominë e shtetit hebre për një ditë.
Qëllimi është të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj qeverisë Netanyahu, e akuzuar se nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të liruar pengjet që ende mbahen në Gaza.
‘Udhëheqja kombëtare i ka braktisur të rrëmbyerit dhe kjo është koha që lidershipi social, ekonomik dhe vendor të ngrihet dhe të mbyllë ekonominë nesër’.
Shtabi i familjeve të pengjeve u bën thirrje dhe pushtetit vendor që të mbyllë nesër ekonominë dhe shtetin, të bëjë presion mbi qeverinë dhe kryeministrin për të shpëtuar pengjet që janë ende gjallë dhe për të rimarrë trupat e të vdekurve.
“Unë u them terroristëve të Hamasit që vranë pengjet tanë dhe u them udhëheqësve të tyre: ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim. Ne do t’ju ndjekim, do t’ju kapim dhe do t’ju nxjerrim në gjyq.”
Këtë e deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një video-mesazh të publikuar pas zbulimit të trupave të gjashtë pengjeve në një tunel në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.


