Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar ndaj kërcënimeve të bëra ndaj Shkodran Nikçit, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Pejës.
Sipas njoftimit, kërcënimet ndaj Nikçit janë rezultat i prononcimeve të tij zyrtare lidhur me veprimet e ndërmarra nga Prokuroria e Shtetit në rastin e rrahjes në një diskotekë në Pejë, ku ishte i përfshirë edhe shtetasi i Shqipërisë, Rigels Rajku i njohur i “Noizy”.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dënon kërcënimin që i është bërë Zyrtarit të Lartë për Komunikim me Publikun në Prokurorinë Themelore të Pejës, z.Shkodran Nikçit, të cilat vijnë si rrjedhojë prononcimeve të punës së tij zyrtare lidhur me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e rrahjes në një diskotekë në Pejë, ku ishin të përfshirë shtetas të Republikës së Shqipërisë.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me institucionet tjera ligj zbatuese dhe autoritetet shqiptare do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe do ta trajtojnë me seriozitet të lartë këtë çështje, në mënyrë që kërcënuesi të përgjigjet sa më parë para drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Noizy dhe Dj i tij Bahtjar Bajraktari është vënë në pranga në Shëngjin nga autoritet shqiptare dhe pritet të ekstradohet para drejtësisë kosovare. Teka në kërkim është shpallur edhe Arimed Lushaj, i njohur si “Stresi”.







