Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përfaqësoi Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s që u mbajt në Uashington.
Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në një samit të tillë.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, Osmani e ka vlerësuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë aktivitet të rëndësishëm si një arritje të madhe për shtetin.
“Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe SHBA-ve”, ka theksuar ajo.
Në njoftimin e Presidencës, thuhet se Iniciativa Compact Ukraine, si aktivitet përmbyllës i Samitit të NATO-s, është pjesë e përkushtimit të NATO-s dhe partnerëve të saj për sigurinë afatgjate të Ukrainës.
Kjo iniciativë e NATO-s, thuhet se synon të krijojë një arkitekturë gjithëpërfshirëse të sigurisë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës.
Në përfundim të Samitit, presidentja Osmani pati mundësinë të bisedojë me presidentin Biden, të cilin e falënderoi për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës.
Ajo gjithashtu ka diskutuar me liderë të tjerë nga disa shtete të botës.
Në Uashington nis Samiti i NATO-s, merr pjesë edhe presidentja Osmani


