Maqedonia e Veriut në periudhën e fundit është ngadalësuar me realizimin e projekteve kapitale dhe me tërheqjen e investimeve të huaja, dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse ka pagat minimale më të ulëta në rajon. Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se pagat duhet të rriten, veçanërisht për të parandaluar emigracionin, shkruan PRESSonline.al
Me një pagë minimale që aktualisht arrin në 367 euro, Maqedonia e Veriut është ende ndër vendet me të ardhurat minimale më të ulëta në Evropë. Sipas ekspertëve të ekonomisë, arsyet kryesore për këtë janë zbatimi i ngadaltë i infrastrukturës dhe projekteve të tjera kapitale, si dhe tërheqja e investimeve të huaja.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) së fundi ka kërkuar që Qeveria të rrisë pagën minimale në 450 euro në 100 ditët e para, duke thënë se ajo është më e ulëta në rajon dhe shumë pak për të mundësuar një jetë dinjitoze për punëtorët.
Kryeministri Hristijan Mickoski iu përgjigj thirrjeve të sindikatave se është i gatshëm të diskutohet për rritjen e pagës minimale, por theksoi se buxheti është në gjendje të keqe.
“Për pagesën e rregullt të pensioneve mungojnë 2,5 miliardë denarë në krahasim me këtë, që paraqet rritje shtesë që e kemi paralajmëruar dhe premtuar, atëherë mund të kuptoni për çfarë bëhet fjalë”, tha Mickoski.
Me rritjen e inflacionit në dy-tri vitet e fundit, shporta minimale e konsumit për një familje katër anëtarëshe ka arritur mbi 60 mijë denarë, që do të thotë se dy punëtorë me pagë minimale nuk mund t’i mbulojnë shpenzimet mujore.(PRESSonline.al)


