Cyber Morfosis: Një punë të jashtëzakonshme në ndërtimin e një mjedisi të sigurt dixhital për bizneset dhe komunitetet

featured
Press Online
05 Korrik 2024, 02:47

Cyber Morfosis është kthyer në një emër të njohur në fushën e sigurisë kibernetike në Shqipëri, pasi në filozofinë e tyre kanë kombinuar inovacionin me praktikat më të mira për të ndihmuar bizneset të mbrojnë botën e tyre dixhitale. E themeluar nga dy informaticiene, Edlira Martiri dhe Gentjana Muça, kjo kompani ka evoluar nga një mision, në një pikë referuese në peizazhin e sigurisë kibernetike.

Por, si arriti Cyber Morfosis këtu dhe çfarë e bën këtë iniciativë të veçantë? Padyshim që sot nuk është e zakonshme që ekspertiza e sigurisë kibernetike të gjendet tek gratë dhe vajzat, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më tej. E aq me tepër, që dy prej tyre të drejtojnë një kompani në këtë fushë në një terren aspak të lehtë. Pasi u takuan në Universitetin e Tiranës, ku njëra ishte lektore dhe zhvilluese sistemesh dhe tjetra studente e shkëlqyer, vite më vonë ato filluan një udhëtim të përbashkët. Në vitin 2018, ato themeluan një startup të fokusuar në teknologjinë blockchain. Pandemia e COVID-19 solli sfida të reja, por edhe mundësi për riorganizim dhe zhvillim. Në vitin 2023, pas një periudhe analize dhe hulumtimi, u rikthyen së bashku për të themeluar Cyber Morfosis, duke e fokusuar këtë herë në atë çfarë është ekspertiza e tyre, sigurinë kibernetike dhe zhvillimin e sistemeve secure-by-design. Vizioni i tyre ishte të krijonin një mjedis të sigurt dixhital për bizneset dhe organizatat, duke bërë që siguria kibernetike të jetë e aksesueshme dhe e lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë CEO-t dhe menaxherët, pavarësisht nivelit të tyre të njohurive teknike. Kjo, pas një morie sulmesh që infrastrukturat qeveritare, dhe jo vetëm, pësuan, gjë që për dy ekspertet shihej qartë si një nivel i dobët mbrojtjeje, devijim praktikash standarte bazë, si dhe mungesë implementimesh cilësore teknike.

Kështu, Cyber Morfosis beson se ndërgjegjësimi dhe maturimi i bizneseve mbi rëndësinë e sigurisë së informacionit është kritike për të mbrojtur sistemet nga kërcënimet në rritje kibernetike, për të evituar rrjedhjet e të dhënave sensitive të bizneseve, apo për të mos shpenzuar më pas shuma marramendëse nëse bien pre e këtyre sulmeve. Për këtë arsye, Cyber Morfosis mbulon një gamë të gjerë shërbimesh në fushën e sigurisë kibernetike në formë proaktive, përfshirë vlerësimin e gjendjes së sigurisë, njësoj si një check-up, zhvillimin e politikave të sigurisë, menaxhimi i riskut, skanimi i vulnerabiliteteve, testet e penetrimit, trajnimet, etj. Ato synojnë të bëjnë sigurinë kibernetike të kuptueshme dhe të zbatueshme për të gjitha nivelet e organizatës.

Por, një nga inovacionet kryesore të Cyber Morfosis është produkti i tyre SaaS, një platformë e automatizuar e tipit GRC (Governance, Risk, and Compliance), e cila është e para e llojit të vet në tregun shqiptar. Kjo platformë është projektuar për të thjeshtuar dhe automatizuar inventarin e produkteve IT, kontrollin e masave të sigurisë, identifikimin e rreziqeve dhe përcaktimin e strategjive mbrojtëse, si dhe ndjekjen e trajnimeve, e gjitha online e mjaft lehtë. Kjo platformë intuitivisht transformon konceptet e ndërlikuara të sigurisë kibernetike në vizuale të thjeshtë për t’u kuptuar dhe hapa të drejtpërdrejtë për zbutjen e riskut. Për më tepër, platforma ofron raporte të detajuara dhe analitika që ndihmojnë në identifikimin dhe adresimin e kërcënimeve të mundshme. Në këtë mënyrë, kompanitë vlerësohen dhe nëse janë pranë përputhjes me konrnizat standarte si ISO27001, GDPR, SOC2, eIDAS, si dhe detyrimeve të ligjit shqiptar, tërësisht në mënyrë automatike.

Përvec shërbimeve dhe produktit të tyre online, Cyber Morfosis është  e angazhuar në projekte të ndryshme lokale si dhe në Bashkimin Evropian, si rezultat i kualifikimeve, rrjetit, dhe vlerësimit ndërkombëtar që kanë dy bashkë-themelueset dhe stafi i tyre. Cyber Morfosis ka arritur disa suksese të rëndësishme që nga themelimi, si çmimi i parë në Konkursin e Startupeve të Drejtuara nga Gratë në Shqipëri për vitin 2023. Ky konkurs, i njohur si Women Startup Competition Albania 2023, u organizua nga Qendra Kallz dhe mbështetur nga një sërë organizatash të njohura. Ky çmim i dha mundësinë Cyber Morfosis të përfaqësojë Shqipërinë në finalen evropiane të mbajtur në Vjenë. Përveç kësaj, Cyber Morfosis është shpallur fitues në çmimin për Sigurinë Kibernetike në edicionin e 12-të të Albanian ICT Awards. Ky çmim është një mirënjohje shumë e rëndësishme për kontributin e tyre në përmirësimin e sigurisë dixhitale në Shqipëri, si dhe një shpërblim i punës së tyre disa-vjeçare në këtë drejtim.

Në përgjithësi, Cyber Morfosis është duke bërë një punë të jashtëzakonshme në ndërtimin e një mjedisi të sigurt dixhital për bizneset dhe komunitetet, me një fokus të veçantë tek vajzat e reja të apasionuara pas sigurisë. E ardhmja për Cyber Morfosis duket premtuese, me plane për të zgjeruar gamën e shërbimeve të tyre dhe për të hyrë në tregje të reja. Ata po punojnë për të zhvilluar dhe çertifikuar më tej produktet e tyre, që do të ndihmojnë bizneset të mbrohen më mirë nga kërcënimet kibernetike.

/PCWorld Albanian

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter