Filloi rrugëtimin e saj si një projekt inovativ quajtur Urban Vegeration dhe u zhvillua fillimisht si një sistem smart hidroponik në kuadër të Upshift Air Quality në 2023, FloraTech është rezultat i një vizioni për të modernizuar bujqësinë dhe për të ofruar zgjidhje në shërbim të fermerëve.
Me FloraTech fermerët mund të menaxhojnë më mirë të mbjellat e tyre dhe të përballen me sfidat e ndryshme të këtij sektori kaq të rëndësishëm.
FloraTech u prezantua për herë të parë në Climathon Tirana 2023, një eveniment që synonte të nxirrte në pah zgjidhjet për sfidat klimatike. Suskesi atje u pasua me hyrjen e FloraTech në akseleratorin e parë Europian të startupeve në Shqipëri, Uplift Albania, ku më tutje u përforcua si një platformë që ofron teknologji të avancuar për bujqësinë moderne.
Në edicionin e 12-të të garës mbarëkombëtare në teknologji, Albanian ICT Awards, themeluesja e FloraTech Sidorela Ndregjoni u shpall fituese e çmimit ICT Ylli në Ngritje 16-21.
“Një shtysë e rëndësishme për mua ishte dëshira për të krijuar një produkt që i përshtatet fermerëve, dhe jo që fermerët duhet të përshtaten me produktin,” u shpreh Sidorela lidhur me atë çfarë e frymëzoi krijimin e FloraTech.
“Kjo filozofi bazohet në dëshirën për të ndihmuar fermerët të përballen më lehtë me sfidat e përditshme dhe për tu siguruar se teknologjia e ofruar është praktike dhe lehtë për tu përdorur.”
Ideja origjinale ishte të krijohej një sistem për rritjen e bimëve në ambiente urbane, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ofrimin e ushqimeve të freskëta brenda qyteteve.
Megjithatë gjatë zhvillimit të Urban Vegetation u has një sfidë e madhe: kostot e larta të implementimit të sistemeve të ndjesorëve për monitorimin e sasive të ujit dhe të kushteve të tjera kritike për rritjen e bimës.
Në përgjigje të kësaj sfide u krijua FloraTech, zgjidhje e cila duhej të reduktonte ndjeshëm këto kosto duke zëvendësuar sensorët me një sistem inteligjentë të kamerave, konkretisht një kamër për serë.
Sistemi i ri përdor machine learning për të analizuar imazhet e bimëve duke identifikuar sëmundjet, mungesat e nutrienëve dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në shëndetin e bimëve. Për më tepër FloraTech integroi kontrolle për një sistem autonom të ujitjes dhe ndriçimit, duke e bërë menaxhimin e serave më efikas dhe më të lehtë për fermerët.
Krijimi i FloraTech kishte rrënjë të thella në përvojën personale të Sidorelës. “Jam rritur në një zonë rurale të Shqipërisë, ku familja ime merrej me bujqësi. Kam parë nga afër sfidat dhe përpjekjet e fermerëve dhe kjo më ka dhënë një ndjeshmëri të thellë për nevojat dhe vështirësitë e tyre,” tha Sidorela.
“Kjo përvojë personale më motivitoi të zhvilloj një zgjidhje që jo vetëm të ndihmojë në përmirësimin e prodhimit bujqësor por edhe të lehtësojë jetën e fermerëve duke ofruar teknologji e cila është e qasshme, efektive dhe e përshtatur për nevojat e tyre specifike.”
Sidorela është themeluese dhe CEO e FloraTech. Aktualisht është në përfundim të studimeve të ciklit të mesëm në shkollën “Qemal Stafa” ndërsa pasioni i saj e ka orientuar drejt zhvillimit të softuerit, machine learning dhe robotikës.
Elena Sulo, mësuese fizike në shkollën Qemal Stafa dhe inxhiniere informtike shërben si mentorë dhe konsulentë pranë FloraTech.
Por si funksionon FloraTech? FloraTech përbëhet nga katër komponentë kyç: sistemi i kamerave dhe computer vision, analiza me inteligjencë artificiale, kontrolli automatik i sistemeve të ujitjes dhe ndriçimit dhe aplikacioni mobil FloraTech.
- Një sistem kamerash me kosto të ulët që instalohet në serat ose zonat e kultivimit kapin imazhe të rregullta të bimëve dhe duke vënë në përdorim algoritme të avancuara të “Computer Vision,” FloraTech analizon shëndetin e bimëve dhe identifikon sëmundjet, mungesat e ushqyesve ose probleme të tjera të mundshme.
- Përmes inteligjencës artificiale FloraTech prodhon analiza të detajuara të shëndetit të bimëve. Algoritmet machine elarning trajnohen për të njohur modelet e ndryshme të problemeve të bimëve dhe ofrojnë rekomandime të menjëhershme për trajtimin e tyre. Kjo qasje zëvendëson nevojën për sensorë të kushtueshëm duke e bërë sistemin të përballueshëm dhe të lehtë për tu përdorur.
- FloraTech është e pajisur me sistem automatik të ndriçimit që kontrollohet nga AI. Duke përdorur reletë, sistemi në mënyrë dinamike dhe efikase rregullon sasinë e ujit dhe dritës që bimët marrin bazuar në nevojat specifike dhe kushtet aktuale. Si rezultat konsumi i ujit dhe energjisë reduktohet me 50 përqind duke kontribuar në bujqësi më të qëndrueshme.
- Me aplikacionin mobil FloraTech, fermët mund të monitorojnë dhe menaxhojnë sistemin, duke pasur qasje të lehtë në të dhënat e analizave dhe kontrollit të sistemit. Aplikacioni gjithashtu ka një dyqan për blerjen e pajisjeve dhe materialeve të nevojshme për bujqësi dhe një motor kërkimi për informacione të dobishme mbi sëmundjet e bimëve.
FloraTech aktualisht është në fazë testimi dhe do të lançohet së shpejti për fermerët në të gjithë Shqipërinë. Në planet e FloraTech është zgjerimi në rajonet fqinje të cilët kanë nevoja të ngjashme bujqësore. Gjithashtu krijimi i partneriteteve lokale dhe adaptimi ndaj klimave të ndryshme. Fermerët e vegjël dhe të mesëm, prodhuesit bimorë, serat dhe përdoruesit e sistemeve hidroponike do të mund të përdorin platformën e FloraTech.
Megjithatë krahas mundësive që ky sektor përfaqëson në Shqipëri, sfidat ngelen të mëdha. FloraTech është përballur me sfida teknologjike në zhvillimin AI dhe integrimin e sistemeve të monitorit të bimëve. “Por edhe adoptimi nga fermerët dhe rritja financiare si startup janë sfida kryesore për ne,” tha Sidorela.
“Për ti kapërcyer këto sfida është vënë fokusi n zhvillimin e teknologjisë, testimin intensive në mjedise bujqësore reale, krijimin e partneriteteve strategjike dhe rritjen e kapitalit për të përshpejtuar rritjen dhe adoptimin e teknologjisë,” tha ajo.
FloraTech synon të lançojë aplikacionin për përdorim të gjerë në muajt në vazhdim ndërsa produkti harduer për fermat do të jetë një hap më pas në planet e startupit.
/PCWorld Albanian






