“Në partitë e shqiptarëve pothuajse nuk ka në asnjë grimcë dinjiteti, ai ka humbur kohë më parë dhe nuk ka më ndonjë kauzë të madhe për të mirën e shqiptarëve dhe të shoqërisë në përgjithësi. Prandaj janë kaq të paparashikueshëm dhe sado që flasin për unitet nuk e kanë në vetvete”, thotë analisti politik Urim Saliu, duke komentuar aktualitetin dhe zhvillimet politike në kampin politik shqiptar.
– Kemi parë se si funksionon kjo në shtatë vitet e fundit, ata që kritikojnë qeverinë, e më pas përfundojnë në krahët e saj. Kështu armiqtë politikë të djeshëm bëhen miq dhe anasjelltas. Prandaj, kjo defokuson në masë të madhe votuesin. Të gjitha koalicionet e ndërsjella janë për arsye personale dhe për të shpëtuar karrierën politike. Asgjë nuk ndryshon me partitë politike. As vetë partitë nuk e dinë pse ekzistojnë në skenën politike, thotë Saliu për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Sipas analistit politik, Besim Nebiu, në zgjedhjet e ardhshme do të jenë dy grupe në kampin politik shqiptar.
– Njëra ka të bëjë me BDI-në dhe e dyta me koalicionin trepalësh të Izet Mexhitit, Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit dhe partive të tyre. Do të kemi dy alternativa, ku e para do të jetë pro-qeveritare dhe e dyta do të ketë pozicionim dhe fushatë opozitare. Është e paqartë se si do të pozicionohet ASH-ja e zotëri Taravarit, pra nëse do t’i bashkohet frontit të qeverisë apo opozitës. Në atë parti ka një debat të brendshëm dhe shumë zëra për këtë çështje, që mund të çojë në ndarjen e partisë në dy pjesë: anti-BDI dhe pro BDI-së, thekson Nebiu në një prononcim për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike në kampin politik shqiptar, Driton Zenku thotë se çdo cikël zgjedhor sjell surpriza.
– Dhe këtë herë do të ketë freski. BDI kryeson çdo sondazh. Asnjë parti shqiptare nuk mund të përballet me BDI-në. Prandaj ndodhin rigrupimet. Aktualisht, rigrupimi po lëviz në dy blloqe. Fronti për Evropën dhe fronti i opozitës. BDI, PDSH, PDE dhe partia “Populli” ndoshta do të jenë bashkë. Partia e Gjyle Çelikut nuk është e interesuar për blloqe. Në momentin e fundit mendoj se Aleanca për Shqiptarët do t’i bashkohet Frontit për Evropën. Frontit opozitar do t’i bashkohet çdo organizatë joqeveritare apo lëvizje nga diaspora, por nga poshtë lart ky do të jetë një formulim bashkëpunimi, tha Zenku për “Frontline”, përcjell PRESSonline.al
Nga ana tjetër, vijon “tenderimi” publik i qeverisë dhe opozitës lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare. VMRO-DPMNE doli me një propozim konkret që të mbahet në pranverën e ardhshme, në mes dy festave më të mëdha fetare dhe LSDM mbetet në qëndrimin që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të mbahen në mandatin e rregullt, fillimisht ato presidenciale, e më pas ato parlamentare.
Dhe derisa lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i bëri thirrje kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, “të marrë një fletë të bardhë dhe të shkruajë çdo datë që dëshiron për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale me një kosti”, zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski ripërsëriti qëndrimin e partisë se janë të gatshëm të diskutojnë për datat e zgjedhjeve, në nivel grupesh pune.(PRESSonline.al)







