Në spitalin klinik të Tetovës do të vendosen ashensorë të rinj, premton drejtori Pëllumb Vela. Sipas tij, dy nga shtatë ashensorët do të sigurohen nga buxheti i spitalit, ndërsa pesë ashensorë tjerë do t’i sigurojë Ministria e Shëndetësisë.
“Përfundimisht me pesë ashensorë të rinj do të na ndihmojë Ministria Shëndetësisë, ndërsa dy ashensorë do i marrin në kuadër të furnizimeve publike që i kemi në kuadër të spitalit. Do vendosen dy ashensorë në pjesën internistike, katër në pjesën kirurgjike dhe një në pjesën e urgjencës, tek pjesa urgjencës që edhe do të hapet së shpejti. Një punon dhe është në rregull dhe një do të vendoset i ri.”- deklaroi Pëllumb Vela – Drejtor I Spitalit të Tetovës.
Edhe nga Ministria e Shëndetësisë thonë se procedura e blerjes se ashensorëve do të fillojë javën që vjen. “Gjatë javës së ardhshme do të fillojë procedura për blerjen e ashensorëve në Spitalin Klinik të Tetovës. Do të furnizohen me ashensorë edhe Klinika Universitare për Sëmundje Kirurgjikale dhe Klinika Universitare e Stomatologjisë.”- thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Problemi me ashensorët në spitalin e Tetovës është i kamotshëm, të njëjtit janë të amortizuar dhe në të shumtën e rasteve janë edhe me defekte. Televizioni 21 për mos funksionimin e ashensorëve ka informuar edhe muaj më parë, kur pacientët dhe kufomat barteshin me duar ose me një ashensor.