Opinioni në Maqedoninë e Veriut është i tronditur dhe i shqetësuar nga tragjedia në Serbi, ku nxënësi 13-vjeçar Kosta Keçmanoviq bëri një masakër në shkollën e tij në Beograd duke vrarë tetë shokë të klasës dhe rojen e shkollës me armën e babait të tij. Tragjedia e paharruar sociale që po ndodh në Beograd hapi pikëpyetjet për dështimin e familjes, institucioneve dhe shoqërisë në lokalizimin dhe parandalimin e sjelljeve të dhunshme, por hapi edhe pyetjen se çfarë i “prodhon” dukuritë e këtilla.
Shumë figura publike nga vendi shprehën ngushëllime ndaj familjarëve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi, ndërsa i vetmi politikan shqiptar në Maqedoninë e Veriut që shprehu keqardhje dhe ngushëllime ishte Zëvendëskryeministri i parë dhe zyrtari i lartë i BDI-së, Artan Grubi.
Në këtë rast të veçantë duhet bërë një “autopsi psikologjike e fëmijës”, pra profili i tij psikologjik me fokus se cila ishte prejardhja e tij, cilat janë arsyet e një vrasjeje kaq të frikshme, pavarësisht se fëmija ngjall empati te disa njerëz, njëfarë mirëkuptimi, ndërsa edhe Tik Tok ka një grup mbështetësish që është absurde. Megjithatë, është një krim masiv që meriton të gjithë dënimin, thotë Dr. Duduçki në një intervistë për “Sloboden Peçat” të cilën po e përcjell PRESSonline.al.
Neuropsikiatri Dr. Mice Duducki thotë se nuk ka gjasa që ajo që tha Keçmanoviq gjatë arrestimit të tij – “Unë jam psikopat” të jetë e vërtetë. Doktori potencon se nuk mund të sillen përfundime të atilla aq shpejtë pa u analizuar në mënyrë të detajuar aspektet e shumta nga mosha e hershme dhe raportet ndërnjerëzore të Keçmanoviq në shkollë, në të gjithë mjedisin. Ekzaminimi që do ta bëjnë psikiatrit nga Beogradi nuk do të jetë vetëm dokument mjeko-ligjor, por edhe dokument për zhvillimin e parandalimit që ngjarje të tilla tragjike të mos ndodhin në të ardhmen.
“Psikopatët nuk e dinë se janë psikopatë. Asnjëri prej tyre nuk e thotë këtë. Për psikopatët, të gjithë të tjerët janë të këqinj, të papërshtatshëm dhe me qëndrim të keq ndaj tyre, por psikopatët dhe sociopatët nuk e mendojnë veten kështu. Është ndoshta diçka e njohur në psikiatrinë ligjore si një “gjendje e mjegullt shpirtërore”. Fëmija bëri një plan, një draft, një listë të viktimave të mundshme. Fakti është se ai qëlloi shokët e klasës me të cilët ishte në kontakt të përditshëm. Hetimi dhe ekspertiza do të tregojnë me siguri, por është pak e besueshe ajo që ka thënë fëmija në një gjendje stresi ekstrem – se është psikopat. Kjo duhet të merret me rezervë. Të gjithë janë bërë ekspertë në psikiatrinë ligjore, por është mosmirënjohje të nxirren përfundime dhe opinione para se hetimi të përfundojë. Në këtë rast të veçantë duhet bërë një “autopsi psikologjike e fëmijës”, pra profili i tij psikologjik me fokus se cila ishte prejardhja e tij, cilat janë arsyet e një vrasjeje kaq të frikshme, pavarësisht se fëmija ngjall ndjeshmëri në disa njerëz, mirëkuptim, madje në Tik Tok ka edhe një grup mbështetësish që është absurde. Megjithatë, është një krim masiv që meriton të gjithë dënimin, thotë Dr. Duduçki.
Sipas tij, duhet të shqyrtohen marrëdhëniet mes fëmijëve dhe mësuesve, raporti i fëmijëve me bashkëmoshatarët, marrëdhëniet ndërpersonale në familje dhe disponueshmëria e armëve që Keçmanoviq e ka pasur. Mjeku neuropsikiatër vlerëson se shoqëria është në psikozë sociale, përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut, dhe për këtë arsye është e nevojshme kthimi në vlerat origjinale dhe të vërteta.
“Duhet të bëjmë një rilindje të shoqërisë dhe si hap i parë, etika duhet të mësohet që në kopsht. Një fëmijë i edukuar në aspektin etik nesër do të bëhet një i ri me etikë dhe do t’i rrisë fëmijët e tij si duhet. Nëse mësuesit dhe pedagogët e vënë atë dimension në plan të parë, përveç arsimit, që është edhe i domosdoshëm, atëherë besoj se do të kemi breza të shëndetshëm. Ata breza të shëndetshëm do të rrisin breza të tjerë të shëndetshëm. Kjo tingëllon si një utopi për shumë njerëz, por kjo është një gjendje pa të cilën nuk mund të bëhet. Pa këtë gjendje nuk mund të kemi breza të shëndoshë, por një shoqëri me individë të sëmurë, me njerëz të dëshpëruar që kushedi se për çfarë motivesh do të bëjnë krime të ndryshme, shpjegon doktor Duduçki.(PRESSonline.al)