Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka dalë sot me një qëndrimin lidhur me çështjen e reklamimit të bizneseve në media.
Në një deklaratë për media KMShK thekson se reklamimi i bizneseve në mediat kosovare është një raport kontraktual, por që nuk duhet ta kushtëzojë ose cenojë në asnjë mënyrë raportimin bazuar në kodet e etikës.
“Disa media anëtare të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) kanë ngritur shqetësim për mënyrën se si biznese të caktuara provojnë të kushtëzojnë raportimin për to në këmbim të reklamave, si dhe të imponojnë kushte të ndryshme për gazetarët.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e raportimit në rastet që kanë të bëjnë me biznese që reklamojnë ose publikojnë shkrime të sponsorizuara në media, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) del me këtë”, thuhet në deklaratë.
Lexoni të plotë qëndrimin e KMShK:
Për raportimin etik të mediave karshi bizneseve
Bizneset nuk duhet dhe nuk munden të imponojnë rregulla të veta në mënyrën se si mediat duhet të raportojnë. Marrëdhënia kontraktuale e mediave me bizneset nuk duhet ta cenojë etikën në raportim.
Kontratat e reklamimit/marketingut në raport me mënyrën e raportimit duhet të funksionojnë sipas standardeve të KMShK-së dhe jo sipas standardeve që mund t’i imponojnë bizneset. Duhet të bëhet e qartë që bizneset blejnë hapësirë reklamimi, por jo edhe përmbajtje editoriale.
Raportimi etik kurrsesi nuk duhet të kushtëzohet me kontrata reklamimi. Bizneset nuk duhet të bëjnë përpjekje që të vendosin rregulla të etikës për mediat.
Mediat duhet të respektojnë kodin e etikës dhe të mos pranojnë kurrfarë kushtëzimi të bizneseve qoftë për kohën kur duhet publikuar diçka për to, qoftë për mënyrën e raportimit. Në këtë kontekst, nuk duhet përfillur kërkesa të bizneseve që cenojnë kodin, e që kanë të bëjnë me kohën që ato duhet ta kenë në dispozicion për t’iu kthyer mediave përgjigje për çështje të caktuara. Kjo formë e kushtëzimit mund të shndërrohet në marrëdhënie kontraktuale dhe nuk ka të bëjë me raportim etik.
Në shkrimet e sponsorizuara duhet të respektohet kodi dhe këto përmbajtje nuk duhet dhe nuk mund të përmbajnë lajme të rrejshme, shpifje dhe dezinformim. Bazuar në Kodin e Etikës të KMShK-së, mediat duhet ta bëjnë të qartë se çfarë është reklamë/marketing, e çfarë është përmbajtje editoriale.
Neni XII i kodit, që rregullon reklamat dhe sponsorizimin, përcakton qartë që:
– Reklamimi komercial e politik, si dhe materiali sponzorizues – përfshirë këtu edhe artikuj e shtojca – duhet të dallohen qartë nga përmbajtja editoriale dhe të identifikohen si të tilla.
– Në materialin e sponsorizuar duhet të tregohet qartë burimi i sponsorizonit.
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) do t’ua përcjell këtë qëndrim edhe organizatave të bizneseve, me kërkesën që ato t’ua shpërndajnë anëtarëve të vet.