Vuçiq gjatë tubimit propagandistik me mesazhe për Kosovën dhe paralajmërim për demonstrim ushtarak

featured
Press Online
27 Qershor 2026, 23:04

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka shfrytëzuar tubimin masiv të organizuar në prag të Vidovdanit për të përcjellë mesazhe nacionaliste ndaj Kosovës dhe për të paralajmëruar demonstrimin e forcës ushtarake, duke e shoqëruar fjalimin e tij propagandistik me narrativa për “mbrojtjen e sovranitetit”, “kërcënimet nga jashtë” dhe nevojën për unitet kombëtar.

Në një fjalim të stërmbushur me referenca politike dhe historike, Vuçiqi e ka paraqitur Kosovën si pjesë të padiskutueshme të Serbisë, duke deklaruar se “nuk ekziston asnjë histori se kujt i përket Kosova”, ndërsa theksoi se Kushtetuta e Serbisë është, sipas tij, “Shkrimi i Shenjtë”, duke lënë të kuptohet se Beogradi nuk do të ndryshojë qëndrimin e vet ndaj shtetit të Kosovës.

Vuçiq retorikën politike e shoqëroi edhe me paralajmërim për demonstrim të fuqisë ushtarake. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndjekin paradën e planifikuar për Vidovdan, duke deklaruar se “nesër do ta shihni forcën e Ushtrisë suaj” dhe se askush nuk do të jetë në gjendje ta sulmojë Serbinë.

Mesazhi i Vuçiqit është përpjekje për të kombinuar simbolikën kombëtare me demonstrimin e kapaciteteve ushtarake në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në rajon të cilat i nxit dhe i ushqen vet regjimi i tij.

Gjatë fjalimit, Vuçiqi gjithashtu ka propaganduar se Serbia ka ruajtur “paqen, lirinë dhe pavarësinë”, duke numëruar investimet, ndërtimin e autostradave dhe rritjen e punësimit që nga viti 2012. Ai akuzoi kundërshtarët politikë dhe faktorë të jashtëm se kanë tentuar të destabilizojnë Serbinë, ndërsa protestat studentore i përshkroi si të manipuluara nga politikanë dhe aktorë të huaj.

Ai po ashtu u shpreh se Serbia do të vazhdojë rrugën evropiane, por nuk do të heqë dorë nga marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë. “Nuk i hedhim miqtë tanë kur është e vështirë”, ka deklaruar Vuçiqi duke treguar qartë orientimin e vërtetë të Beogradit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter