SHBA/ E vrau se i hyri gabimisht në rrugicën e shtëpisë, asnjë pendesë nga autori

featured

Nuk ka shfaqur asnjë pendesë në sallën e gjyqit autori i vrasjes së një 21-vjeçare në qytezën e Hebronit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gabimi i vetëm i së cilës ishte se hyri gabim me makinë në rrugicën përpara shtëpisë së tij.

Kaylin Gillis u ngatërrua për shkak të ndriçimit të dobët në rrugë, por ndonëse ajo e kuptoi që kishte hyrë gabim dhe e ktheu pas automjetin që të largohej prej andej, 65-vjeçari Kevin Monahan e kishte rrokur sakaq armën dhe e drejtoi atë kundër vajzës, duke hapur zjarr.

Në makinë ndodheshin dhe persona të tjerë të cilët nuk u lënduan. “Ata po ktheheshin, po largoheshin, nuk përbënin asnjë kërcënim për Monahan dhe nuk kishte asnjë arsye që ai të dilte nga banesa e të shtinte mbi ta”, tha sherifi i kontesë së Washingtonit, Jeffrey Murphy.

Hebroni është një zonë e vogël rurale, ku siç thonë dhe vendasit, është e lehtë të humbasësh rrugën aq më tepër në orët e mbrëmjes. Vetëm një ditë përpara ngjarjes së rëndë, një tjetër tragjedi e ngjashme shokoi Amerikën. 16 vjeçari Ralph Yarl u qëllua me plumb në kokë e në krah nga një 84-vjeçar. Ai kishte shkuar të merrte dy vëllezërit e vet më të vegjël nga shtëpia e një shoku, por kishte ndërruar banesën. Në momentin që i ra ziles, ndaj tij u lëshuan një breshëri plumbash. Adoleshenti fatmirësisht mbijetoi, dhe mjekët vetë thonë se nuk kanë as idenë më të vogël sesi ndodhi kjo, përveçse një mrekullie.


Top Channel

SHBA/ E vrau se i hyri gabimisht në rrugicën e shtëpisë, asnjë pendesë nga autori
|