Presidenca: Lista Serbe po merr pjesë në përgatitjet e zgjedhjeve të 23 prillit

featured

Shefi i Kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se Serbia rrejshëm është duke pretenduar se Kosova po organizon zgjedhje jodemokratike në katër komunat në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se në përgatitjet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke i bërë për zgjedhjet e 23 prillit, është duke marr pjesë edhe Lista Serbe.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Vela ka paraqitur, siç ka thënë, disa fakte. Sipas tij në kohën kur “Serbia po përdor dhunë, intimidim, korrupsion dhe tani po ndërhyn në zgjedhje në veri të Kosovës, ajo po pretendon rrejshëm se institucionet Kosovës po organizojnë zgjedhje ‘jodemokratike’”.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë shtyrë zgjedhjet nga 22 dhjetori më 23 prill dhe se KQZ-ja e ka zgjatur afatin për regjistrimin e partive dhe kandidatëve nga 18 marsi më 22 mars. “Kandidatët dhe partitë serbe janë regjistruar për zgjedhjet e 23 prillit. Lista Serbe është e përfaqësuar dhe merr pjesë në KQZ, ku bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e 23 prillit”, ka shkruar Vela në Twitter.

Presidenca: Lista Serbe po merr pjesë në përgatitjet e zgjedhjeve të 23 prillit
|