Shtyhet seanca për dosjen e Metës, ish-presidenti shfaqet në kafazin e sallës së gjyqit

featured
Press Online
27 Prill 2026, 12:36

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u zhvillua sot seanca e parë e gjyqit në themel ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, si dhe tre të pandehurve të tjerë në të njëjtën dosje hetimore.

Kreu i PL-së kërkoi nga GJKKO që seanca gjyqësore të transmetohet drejtpërdrejt për mediet. Gjykata lejoi kamerat e medieve të transmetojnë fazën e legjitimimit të palëve, kohë në të cilën u shfaq edhe ish-presidenti Meta, i cili ishte i izoluar brenda sallës gjyqësore.

“Unë jam në pozita të pabarabarta. Në pozita të pabarabarta janë ata që i ka përzgjedhur Charls McGonigal për të montuar me shpifje me gënjeshtra, me kallëzues të rremë një proces të turpshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër Ilir Metës, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit të Republikës. Prandaj ju ftoj që nga sot deri në sekondën ta transmetoni live këtë proces”, tha Meta.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, tha se është e papranueshme që gjyqet nuk jepen live për publikun.

“Të gjithë gjyqet që nga 1995, Ramiz Alisë, Fatos Nanos, gjyqi në Hagë, të gjitha gjyqet bëhen me kamera, online. Kur bëhet gjyqi në Hagë për krime kundër njerëzimit, imagjinoni mos të bëhet gjyqi i presidentit. Fakti që s’e merr vendimin, tregon që ka frikë nga provat. Nuk ka guxim ta transmetojë që të shohin shqiptarët montimin që i ka bërë SPAK çështjes së Metës.

“Gjyqi i Nanos është bërë në kushte të barabarta, janë bërë të hapur për gazetarët dhe mediet. Do t’u bëj ndërkombëtarëve kërkesë të vijnë të shohin Metën në kafaz seancën e radhës, kjo është e papranueshme. E papranueshme të mbash mbyllur në kafaz presidentin apo kryetarin e bashkisë. Humbet seancë e të qenit një shtet i së drejtës, bëhesh shtet diskriminues. Vetëm në Shqipërinë e 2026-ës, për turpin e këtyre deputetëve dhe të kësaj shoqërie që pranon një diskriminim të tillë”, tha Cakrani.

GJKKO ende nuk ka marrë një vendim mbi kërkesën e Ilir Metës për t’u transmetuar drejtpërdrejt seancat gjyqësore.

Seanca u shty për në datën 11 maj në orën 12:00, sipas medieve, për shkak të mungesës së Fatime Kryemadhit dhe se avokatët e saj nuk kishin prokurë për ta përfaqësuar.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter

Sohbet sistemi şu anda aktif değil. Lütfen daha sonra tekrar deneyin.