Mehdi Sejdiu, këshilltari politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se qeveritë e kaluara nuk kanë ditur ta zhbllokojnë procesin e liberalizimit të vizave, prandaj sipas tij, ka mbetur katër vjet në Këshill të Evropës pa dalë asnjëherë në votim.
Sejdiu ka thënë se Qeveria Kurti përmes diplomacisë ka arritur ta zhbllokojë procesin, ndërsa ka shtuar se kryeministri Albin Kurti është treguar modest duke ia lënë meritat për këtë qytetarëve të Kosovës.
“Kur e kemi marrë këtë proces, na është thënë se qeveritë e kaluara i kanë mbush kriteret dhe e kanë lënë aty. Qasja jonë ka ndryshuar sepse ka qenë më pro-aktive. Kemi biseduar me ambasadorët kyç të vendeve anëtare në Kosovë, dhe i kemi udhëzuar ambasadorët të flasin me vendet që kanë qenë kundër procesit. Disa vende kanë pas pyetje sa i përket korrupsionit, migrimit. Ka pasur insistim nga 10 vende anëtare që kanë kërkuar rivlerësim. Kjo do ta çonte mbrapa procesin për 2-3 vjet. Kemi kërkuar një raport për fushën e liberalizimit të vizave të disa vendeve dhe një zyrtar i BE-së na ka thënë se qasja refuzuese e disa vendeve ka ndryshuar falë atij raporti. Kryeministri është treguar modest, sepse ia ka lënë meritat qytetarëve. Nëse puna është kryer siç thotë opozita, nuk ka pas nevojë që procesi të qëndrojë në Këshill. Sepse nuk kanë dit me zhblloku, ne kemi dit me zhblloku falë diplomacisë. Kemi pasur sukses në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk është valide si kritikë. Nëse do të ishte e kryer, nuk do të merreshim fare me këtë punë”, ka thënë ai në KTV.
Rol kyç në finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave, sipas Sejdiut, ka luajtur edhe lufta kundër korrupsionit e sundimit të ligjit gjatë dy vjetëve të Qeverisë Kurti.
Ai ka paralajmëruar se do të ketë një fushatë informuese për qytetarët rreth asaj se çka lejohet pas heqjes së vizave.
Sejdiu ka thënë se nesër do të mbahet një ceremoni formale, ku do të nënshkruhet përfundimisht heqja e vizave për Kosovën. I pranishëm do të jetë zëvendëskryeministri Bislimi.
Të martën, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin final për heqjen e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë në Evropë nga 1 janari i vitit 2024.