1. Lajme
  2. TEKNOLOGJI
  3. Visa kryesoi tregun e kartave të pagesave në Shqipëri edhe për vitin 2022

Visa kryesoi tregun e kartave të pagesave në Shqipëri edhe për vitin 2022

featured

Marka Visa kryesoi tregun e kartave të pagesave në Shqipëri dhe për vitin 2022.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2022, bankat tregtare shqiptare kishin mbi 702 mijë karta aktive të lëshuara me markën e Visa, shifër kjo në rritje me 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Visa e ka rritur pjesën e saj të tregut të 51.3% të numrit total të kartave aktive në Shqipëri, nga 50.6% që mbante në fund të vitit 2021.

Gjigandi tjetër global i pagesave, Mastercard renditet i dyti, me pothuajse 668 mijë karta aktive.

Numri i kartave Mastercard është rritur, me 4.6% më shumë krahasuar vitin 2021. Kartat e lëshuara në emër të Mastercard përbënin 48.7% të numrit total të artave aktive, në rritje nga niveli prej 48.4% që zinin një vit më parë.

Dy markat e mësipërme përbëjnë pjesën dërrmuese të kartave të lëshuara nga sektori bankar shqiptar. Kompania e tretë, American Express, gjatë vitit të kaluar pothuajse ka dalë nga tregu.

Në fund të dhjetorit 2022, Banka e Shqipërisë raportonte vetëm 16 karta të lëshuara në emër të kësaj kompanie, nga më shumë se 13 mijë të tilla një vit më parë. “Zhdukja” nga tregu e American Express ka ardhur për shkak të shkrirjes së Alpha Banka Albania, e vetmja bankë tregtare në Shqipëri që lëshonte ende karta të kësaj kompanie.

Në 1 dhjetor të këtij viti, Alpha Banka Albania u bashkua ligjërisht me Bankën OTP Albania, që, me sa duket, nuk do ta trashëgojë licencën për të lëshuar karta American Express.

Kartat lokale në fund të vitit të kaluar ishin në shifra të papërfillshme, me vetëm 9 njësi.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2022 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.37 milionë, në rritje me 3.8% krahasuar me një vit më parë.

Numri i kartave të debitit arriti në 1.18 milionë, në rritje vjetore me 4.3%. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën mbi 86% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare.

Ndërkohë, produkti tjetër konsumator, ai i kartave të kredititi, as vitin e kaluar nuk iu rikthye dot ritmeve të rritjes së periudhës para pandemisë. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte 112 mijë karta krediti aktive, me një rritje vjetore prej vetëm 0.2%.

Gjatë vitit 2022 pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në 10.7 milionë, me një rritje prej 35.5% krahasuar me një vit më parë.

Rritja ishte edhe më e lartë në vlerë transaksionesh, që vitin e kaluar arriti në 50.6 miliardë lekë, 45% më shumë krahasuar me vitin 2021. Për vitin 2022, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 13.9% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 11.45% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.

Një faktor që po nxit rritjen e pagesave me kartë është zgjerimi bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave ma kartë në fund të vitit të kaluar arriti në 16 227, në rritje me 18.1% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi.

Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.

/Monitor

Visa kryesoi tregun e kartave të pagesave në Shqipëri edhe për vitin 2022
|