Kompania amerikane prodhon dy modele telefoni për personat mbi 75 vjeç!

featured
Press Online
24 Qershor 2026, 13:33

Kompania amerikane, MVNO Consumer Cellular ka prezantuar SpeakEasy, një markë të pavarur e krijuar posaçërisht për personat mbi 75 vjeç. SpeakEasy bazohet në idenë se “qëndrimi në kontakt nuk duhet të kërkojë navigim në teknologji të komplikuar”. Bëhet fjalë për dy pajisje. SpeakEasy Flip kushton 79,95 dollarë dhe siç sugjeron emri, është një telefon “flip” (me palosje) që ka “butona të mëdhenj dhe lehtë të lexueshëm, kontrolle të volumit në pjesën e përparme dhe altoparlant shumë të zëshëm”.

Aonimet për këtë model fillojnë nga 14,95 dollarë në muaj dhe përfshijnë 500 MB internet. Telefoni përdor një ndërfaqe të vetën të zhvilluar mbi bazën e “Android-it me kod të hapur”. SpeakEasy Smart është një smartphone me “ekran të madh dhe të ndritshëm”, i cili përdor një sistem operativ Android të thjeshtuar me ndërfaqe me butona të mëdhenj, ku janë theksuar funksionet më të përdorura si thirrjet, mesazhet, fotot dhe videot. Abonimet për këtë model fillojnë nga 19,95 dollarë në muaj dhe përfshijnë 3 GB internet.

Çmimet e smartfonëve në Evropë pritet të rriten ndjeshëm gjatë vitit 2026, ndërsa kompanitë më të mëdha si Samsung, Apple dhe Xiaomi po ndryshojnë strategjitë e tyre për shkak të krizës globale me çipat e memories dhe rritjes së kostove të prodhimit. Sipas analizave të IDC dhe Counterpoint Research, tregu global i telefonave mund të përjetojë rënien më të madhe ndonjëherë në vitin 2026, ndërsa çmimet mesatare të pajisjeve pritet të rriten deri në 14 për qind. Arsyeja kryesore është mungesa e çipave DRAM dhe memorieve të tjera që përdoren si në telefonat inteligjentë ashtu edhe në qendrat e inteligjencës artificiale.

Kërkesa e madhe për infrastrukturën e AI nga kompani teknologjike si Meta, Google dhe Microsoft ka bërë që prodhuesit e çipave t’i japin përparësi qendrave të të dhënave, duke ulur furnizimin për industrinë e telefonave mobilë. Analistët paralajmërojnë se telefonat më të lirë Android do të goditen më së shumti, ndërsa Apple dhe Samsung, falë pozicionit më të fortë financiar dhe fokusit në modelet premium, pritet të fitojnë më shumë pjesë të tregut evropian.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter