Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Halil Thaçi ka reaguar ashpër ndaj gjuhës skandaloze të hoxhës, Mazllam Mazllami, i cili në një VIDEO ka fyer dëshmorët e përdhosur flamurin kombëtar shqiptar.
Deputeti e ka quajtur të rëndë dhe të vrazhdë fyerjen e ofendimin e dëshmorëve të kombit dhe flamurit kombëtar që ndodhi nga një predikues i fesë islame.
“Fyerja e dëshmorëve të kombit dhe përdhosja e flamurit kombëtar duhet të cilësohet si vepër e rëndë penale. Prokuroria e shtetit nuk duhet të qëndrojë e heshtur përballë një ofendimi të tillë”, ka thënë në reagimin e tij deputeti Thaçi.
Hoxha, Mazllam Mazllami nga Prizreni ditëve të fundit është bërë temë debati në vend për shkak të marrjes së një veture super luksoze Mercedes me rastin e pensionimit.
Por debati u zgjerua edhe më shumë pas rastit kur disa persona e sulmuan fizikisht një gazetar me motivin kundër fjalës që ky i fundit kishte dhënë për hoxhën dhe disa persona nga komuniteti islam.
Sido qoftë, hoxha që doli edhe nëpër televizione dhe mori ‘famë’ shihet duke dhënë vlerësime edhe për gjënë më të shenjtë kombëtare.
Në fakt hoxha në fjalë paraqitet me gjuhë nënçmuese ndaj Flamurit Kombëtar, duke e quajtur si harrën e leckë.
Ai thotë se flamuri nuk duhet të ngritët as për Festën Kombëtare të 28 Nëntorit.
Madje ky hoxhë shkon edhe më tej në ofendimet e tij, duke kontestuar edhe gjakun e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Ai thotë se nuk bihet dëshmor me një harrën të tillë (e ka fjalën për Flamurin Kombëtar), ndërsa thotë se dëshmorëve pas 50 vjetësh do t’u thyhen krejt pllakatat.