Ministri i Punëve të Bredshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se pas demaskimit e shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore nga një zyrtar përgjegjës i ministrisë, ka kërkuar nisjen e hetimeve nga Policia e Kosovës, ndërsa do të merren masa edhe brenda MPB-së për këtë rast.
Riza Alshiqi që punon si zyrtar i lartë për monitorimin e transportit qeveritar prej pesë vjetësh në Ministri të Punëve të Brendshme, është raportuar se po e shfrytëzon parkingun e këtij objekti ku gjenden pesë ministri, për t’i lënë veturat të cilat i posedon për t’i dhënë me qira nga biznesi i tij.
“Pas një pune të shkëlqyeshme të gazetarëve në demaskimin dhe shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore nga një zyrtar përgjegjës që do të duhej të siguronte mbarëvajtjen e punëve të transportit dhe parkingut të objektit të Qeverisë, menjëherë kam kërkuar nga Policia e Kosovës të fillojë hetimet për të gjitha shkeljet ligjore”, ka thënë sot në reagimin e tij ministri Sveçla.
Po ashtu, ai theksoi se nga dita e parë e punës do të inicioj edhe auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu.
“Në të njëjtën kohë edhe Komisioni Disiplinor pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të angazhohet për të identifikuar të gjitha shkeljet dhe të ndërmarrë masat e parapara me ligj. Si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, jemi angazhuar maksimalisht që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kemi vepruar pa asnjë mëdyshje”, ka shkruar ai.
Ministri Sveçla theksoi faktin se janë mbi 300 zyrtarë publikë që janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Përgëzoj gazetarët për punën e tyre në zbardhjen e keqpërdorimit në fjalë, si dhe ritheksoj gatishmërinë për bashkëpunim në evidentimin dhe marrjen e masave ndaj çdo keqpërdorimi që bëhet mbi kurriz të shtetit dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar ai.