Kur Bitcoin ra nga 30 mijë dollarë nën 20 mijë dollarë në vetëm një javë vitin e kaluar, bashkëthemeluesi i Three Arrows Capital Su Zhu e përshkroi rënien si goditja e fundit ndaj fondit të tij të investimit.
Sot kriptomonedha më e madhe në botë është distancuar nga niveli i 20 mijë dollarëve dhe rikthyer përsëri në kufirin e 30 mijë dollarë, megjithatë industria sot është vetëm një hije e asaj që ka qenë dikur. Kjo sepse shumë liderë të saj janë mbyllur për shkak të një vale domino falimentimesh që ndoqën kolapsin e Three Arrows: Voyager Digital, Celsius, FTX, Blockfi, Genesis Global dhe startupe të tjera të cilat kishin lulëzuar deri në atë moment.
Edhe pse situata është përmirësuar krahasuar me vitin e kaluar apokaliptik për industrinë kripto, rikthimi premtues i Bitcoin nuk do të jetë i mjaftueshëm për të rregulluar gjithë dëmin e shkaktuar vitin e kaluar.
“Nuk mund të pretendojmë se 10 muajt e fundit nuk kanë ndodhur asnjëherë nisur nga sentimenti i javëve të fundit,” tha Oliver Linch, shef ekzekutiv i platformës së tregtimit Bittrex. “Por ekziston një ndjesi se ky është sinjali që mund të tu vërë kufirin atyre skandaleve dhe të mund të rikthehemi edhe njëherë tek vlerësimi i kriptomonedhave pa gjithë atë zhurmën e spekulimeve dhe keqbërjes.”
Keqbërja ka nxitur një lumë kontrollesh rregullatorë dhe veprimesh nga agjencitë ligjzbatuese në SHBA.
Ndërsa rastet më të diskutuara është gjyqi i Sam Bankman-Fried të FTX; arrestimit të Do Kwon dhe paditjes së CEO të Binance Chanpeng Zhao nga Komisioni Amerikan i Tregtimit të Komoditeteve. Coinbase Global gjithashtu ka marrë një njoftim nga Komisioni Amerikan i Bursave dhe Letrave me Vlerë se mund të paditet.
Binance dhe Coinbase kanë mohuar të kenë vepruar me qëllim të keq ndërsa Bankman-Fried thotë se është i pafajshëm.
Kohët e fundit ka pasur edhe kolapse të disa bankave që kanë mbështetur kriptot si Silvergate Capital, Signature Bank apo Silicon Valley Bank.
Shumë investitorë të dëmtuar vitin e kaluar po përpiqen sot të shërojnë plagët e tyre më tepër sesa të ndërmarrin përsëri një nismë të rrezikshme.
Në të njëjtën kohë mijëra vende pune janë humbur në industri dhe punësimi nuk është asgjëkund. Investimet janë ngadalësuar në mënyrë dramatike në 2.4 miliardë dollarë në tre mujorin e parë të 2023, një rënie me 80 përqind krahasuar me 12.3 miliardë dollarë për të njëjtën periudhë një vit më parë.
Pavarësisht situatës së zymtë, progresi në evolucionin e kësaj industrie ka vijuar. Ethereum kësaj jave përfundoi atë që mund të konsiderohet një përditësim i rëndësishëm i rrjetit. I ashtuquajturi Përditësimi Shangai, i cili mundëson që investitorët të tërheqin monedhat Ether që kishin të bllokuara në bursa si pjesë e sistemit “proof-of-stake” mund të joshë miliarda dollarë në Ether.
Për herë të parë në 6 muaj, çmimi i Ether u ngjit mbi 2 mijë dollarë. Panorama e përgjithshme ka ndryshuar për mirë gjithashtu. Një vit më parë Rezerva Federale dhe bankat qendrore kishin filluar të rrisnin interesat, lëvizja të cilat kanë ndikuar pozitivisht në industrinë kripto.
Një pyetje e madhe është sesa optimiste janë institucionet tradicionale financiare për të ardhmen e kripto apo rolin e tyre në zëvendësimin e startupeve të dështuara si FTX.
Sipas Citigroup afro 5 trilionë dollarë mund të kalojnë në forma të reja paraje deri më 2030-ën. Afro 5 trilionë dollarë të tjera asete financiare tradicionale mund të tokenizohen duke nxitur adoptimin masive të teknologjive blockchain sipas raportit.
Institucionet filluan ta trajtonin me seriozitet Bitcoin kur theu rekordin e 20 mijë dollarëve në 2020-ën dhe luajtën një rol të rëndësishëm në ngjitjen e tij deri në 69 mijë dollarë. /PCWorld Albanian