Qeveria e Kosovës miratoi ditë më parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme përmes së cilit tatimpaguesit mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro apo sa lartësia e faturës.
Dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë kundër këtij projektligji. Edhe pse Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka trajtuar të njëjtin, ata thonë se nuk do ta mbështesin.
Deputeti nga PDK, Ferat Shala, kërkon që të anulohet vendimi për vlerësimin e pronës për vitin 2022 dhe të vazhdojë pagesa për tatim në pronë edhe këtë vit sipas ligjit në fuqi pa ndryshime.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar nga qeveria që ta pezullojë rritjen e faturave të tatimit në pronë.
Deputetja nga kjo parti, Valentina Bunajku, thotë se Qeveria fillimisht e rriti faturat, pastaj u mundua t’ua hedhë fajin Komunave e tani kërkon të shpërndajë “vitra”.
Ky muaj, është afati i fundit për pagesë për këstin e parë të tatimit në pronë, ndryshe pësojnë gjobat, shkruan kp.
Në fillim të këtij viti, pas publikimit të faturave të reja, pati reagim të madh në lidhje me vlerësimin e pronave që çoi edhe në rritjen e pagesës së tatimit në pronë.
Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet.