1. Lajme
  2. MAQEDONI
  3. Osmani – Aliyev: OSBE do të mbështesë zgjidhje që përmirësojnë gjendjen e popullatës të prekur nga konfliktet

Osmani – Aliyev: OSBE do të mbështesë zgjidhje që përmirësojnë gjendjen e popullatës të prekur nga konfliktet

featured

Statusi i dialogut ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë ishte tema kryesore e takimit të sotëm të kryetarit të OSBE-së, Bujar Osmani me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, informon PRESSonline.al.

“Mendoj se situata mundëson angazhim konstruktiv përmes platformave të ndryshme ndërkombëtare dhe dypalëshe në mënyrë që të arrihet një zgjidhje paqësore dhe të arrihet një marrëveshje paqësore e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë dhe në këtë mënyrë e qëndrueshme”, tha Osmani në takimin me Aliyevin.

“Unë do të vazhdoj me këtë qasje të balancuar. OSBE-ja, me të gjitha sfidat me të cilat përballet, është ende një forum që është vërtet i interesuar për të parë paqen në këtë rajon kyç”, shtoi Osmani.

Kryesuesi Osmani tha se përmes aktiviteteve ekzistuese dhe të ardhshme, OSBE-ja do të mbështesë zgjidhjet që kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë dhe që përmirësojnë gjendjen e popullatës së prekur nga konfliktet.

“Veçanërisht kam qenë i interesuar të dëgjoj për çështjen e integrimit të armenëve në Azerbajxhan dhe se si pas shumë vitesh konfliktesh dhe tensionesh mund të rivendoset stabiliteti dhe besimi”, tha Osmani.

Ai kërkoi mbështetje nga Azerbajxhani, si një partner i vjetër i OSBE-së, për zgjidhjen e çështjeve më urgjente të Organizatës dhe në këtë mënyrë për t’u përballur më mirë me sfidat e sigurisë që prekin Kaukazin e Jugut, si dhe rajonin më të gjerë të OSBE-së.

Osmani sot do të ketë takime edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Jeyhun Bayramov dhe kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova. / PRESSonline.al

Osmani – Aliyev: OSBE do të mbështesë zgjidhje që përmirësojnë gjendjen e popullatës të prekur nga konfliktet
|