1. Lajme
  2. MAQEDONI
  3. Institucionet dhe mediat në një “kurth” dezinformimi!

Institucionet dhe mediat në një “kurth” dezinformimi!

featured

Në epokën dixhitale, keqinformimi përhapet shpejt, shkakton dëme të konsiderueshme dhe minon besimin tek institucionet me pasoja potencialisht serioze. Janë një problem serioz me të cilin gazetarët përballen çdo ditë në punën e tyre. Rrjetet sociale dhe numri i madh i portaleve (kryesisht të paregjistruara) konsiderohen si gjeneruesit më të mëdhenj të informacioneve dhe lajmeve të rreme, të pasakta, shkruan PRESSonline.al

“Prodhuesit” më të zakonshëm të dezinformatave janë grupet e inteligjencës, partitë politike, strukturat e fuqishme, kompanitë, botet partiake – kryesisht për arritjen e qëllimeve politike dhe ekonomike. Në disa raste, dezinformata mund të përhapet nga vetë institucionet në përpjekje për të manipuluar opinionin publik ose për të fshehur të vërtetën, thekson analiza e Institutit për Studime të Komunikimit (ICS) – “Roli i transparencës institucionale në trajtimin e dezinformatave dhe spekulimeve në Maqedoninë e Veriut”, e cila është një përpjekje për të kuptuar marrëdhënien midis qeverisë së hapur dhe të përgjegjshme kundrejt informacionit të rremë/të gabuar, që minon besimin në institucionet shtetërore.

Hulumtimi është i fokusuar në institucionet shtetërore në nivel kombëtar dhe mediat masive (si mediat tradicionale ashtu edhe ato online). Qëllimi i përgjithshëm është të “zbulohet” nëse dhe në çfarë mase (jo)transparenca e institucioneve shtetërore mund të kontribuojë në (luftën kundër) përhapjes së dezinformatave. Krahas kësaj, hulumtimi synon të përcaktojë rolin e medias në atë “labirint”. Të dhënat për anketën u mblodhën në periudhën ndërmjet nëntorit 2022 dhe janarit 2023 dhe analiza bazohet në hulumtimin në zyrë, duke përdorur dokumente përkatëse, intervista me përfaqësues të institucioneve shtetërore në nivel kombëtar dhe fokus grupe me përfaqësues të medias.

Nga analiza rezulton se peizazhi mediatik është i “mbingopur”, informacioni ndryshon çdo ditë, nga minuta në minutë dhe gazetarët, me vetëdije apo pa vetëdije, bien shpesh në “kurthin” e përcjelljes së dezinformatave apo gjysmë të vërtetave, sidomos për lajmet nga jashtë, por edhe ato vendase, kur nuk mund të marrin informacionin përkatës, kur nuk ka kanal transparent. Prandaj, siç është rasti me qasjen evropiane, transparenca duhet të luajë një rol kyç në qasjen maqedonase për trajtimin e dezinformatave dhe të konsiderohet si mjet kyç për zgjidhjen e problemit të dezinformimit.

Institucionet dhe mediat në një “kurth” dezinformimi!
|