Nga Aleanca për Shqiptarët kanë reaguar pas vendimit të Lëvizjes Besa dhe Alternativës për të mos marrë pjesë në grupin punues për ndryshimet kushtetuese. Nga ASH thonë se mos-pjesëmarrja e partive opozitare të shqiptarëve në këtë grup punues dëmton edhe kërkesën për heqjen e 20 për qindëshit nga Kushtetuta, që i referohet gjuhës shqipe.
“Vendimi i Lëvizjes Besa dhe Alternativës për të mos dërguar përfaqësues në grupin punues për ndryshimet kushtetuese është skandaloz dhe paraqet dyfytyrësinë e këtyre subjekteve përballë proceseve integruese dhe të ardhmes së qytetarëve. Arsyetimet e tyre janë të pabaza dhe të paqëndrueshme. Kujtojmë opinionin se grupi punues është formuar pikërisht për të paraqitur propozimet e partive politike dhe aty duhet të sillen vendimet. Kushtëzimet që konsensusi të arrihet para se të ulen në grupin punues është vetëm një alibi, që shkon pikërisht në dëm të vetë kërkesës për heqjen e 20% nga Kushtetuta dhe në dëm të hapjes së bisedimeve me BE-në. Me veprimet e fundit, Lëvizja Besa dhe Alternativa vetëm se konfirmojnë që janë nën kontroll të plotë të VMRO-DPMNE-së dhe agjendës anti-evropiane. Ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që në këto momente të rëndësishme për të ardhmen e vendit, të dëshmojnë pjekuri politike dhe jo të bëjnë politika partiake”, thonë nga ASH.