Partitë politike krahas përgatitjeve për fillimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale bëjnë edhe listat e kandidatëve për deputetë. Në bllokun politik të shqiptarëve, beteja pritet të zhvillohet mes Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit opozitar VLEN, shkruan PRESSonline.al
Në partinë më të madhe të shqiptarëve – BDI, emrat që llogariten të jenë bartës të listave në njësinë e parë dhe që kanë mbështetjen e Ali Ahmetit janë zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme Nazim Bushi. Sipas burimeve partiake nga BDI-ja, ambicie për të qenë bartës i listës në njësinë e parë zgjedhore ka shfaqur edhe njeriu i parë i komunës së Sarajit, Blerim Bexheri
Për këtë njësi zgjedhore– BDI-ja parashikoi si bartës të listës shefin e diplomacisë Bujar Osmani, por me kandidimin e tij për president, integristët tani mendojnë për frontmenin e radhës.
Në zonën e dytë zgjedhore ambiciet për mbajtësin e listës së deputetëve të kampit integrues janë edhe më të mëdha. Përveç koordinatorit aktual të grupit parlamentar Arbr Ademi dhe mjekut të njohur Ilir Hasani, ambicie ka treguar edhe ish-deputeti Ejup Alimi, i cili u akuzua dhe u dënua për manipulim të procesit zgjedhor në Çair – Shkup. Ndërkohë jozyrtarisht bëhet e ditur se Adnan Ismaili, njeriu i parë i Shtëpisë Botuese “Logos-A” pritet të jetë propozimi i BDI-së dhe partnerëve të koalicionit për deputet në zonën e dytë zgjedhore.
Në njësinë e pestë zgjedhore, në garën për deputetë si bartës i listës së BDI-së, janë përmendur emrat e kryeministrit Talat Xhaferi, ministrit të Arsimit Jeton Shaqiri dhe Mehmet Zhaku – shef i kabinetit të ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani. Në njësinë e gjashtë pritet që lideri Ali Ahmeti të kryesojë listën e deputetëve të BDI-së, informon PRESSonline.al
Nga koalicioni opozitar VLEN, siç mësoi “Frontline” nga burime partiake, tashmë kanë caktuar edhe bartësit e listave në njësitë zgjedhore.
Izet Mexhiti do të jetë bartës i koalicionit VLEN në njësinë e parë, Afrim Gashi në të dytën, Bilall Kasami në të gjashtën, dhe në njësinë e pestë zgjedhore do të jetë kandidat i Aleancës për Shqiptarët – krahu i Arben Taravarit, sipas burimeve partiake nga VLEN, bartës pritet të jetë njëri nga ish-deputetët Surija Rashidi apo Garip Kaba.
Zgjedhjet e shtata presidenciale do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat këtë herë do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.
Fushata për zgjedhjet presidenciale do të nisë më 4 prill dhe do të zgjasë deri më 22 prill, kur fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Partitë politike kanë shpallur kandidatët e tyre për president. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të nisë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj. Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vazhdojë fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.(PRESSonline.al)



