Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Jovan Mitreski, me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Ukrainës, Ruslan Stefançuk, qëndron për vizitë njëditore në Ukrainë, në evenimentet kushtuar përvjetorit të dytë nga fillimi i agresionit ushtarak rus me përmasa të mëdha në territorin e Ukrainës.
Në fjalimin e tij para deputetëve ukrainas Mitreski e konfirmoi mbështetjen dhe solidaritetin e vendosur, të qartë dhe vendimtar për Ukrainën, institucionet ukrainase dhe popullin ukrainas dhe theksoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë, dhe mbeten me qytetarët e Ukrainës për të gjithë ndihmën dhe mbështetjen që është e domosdoshme.
“Sot, më 24 shkurt, jemi këtu në Kiev për të dërguar mesazhe të forta paqeje, mirëkuptimi, tolerance dhe respekti për njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë për të dërguar mesazh po aq të fortë se bota demokratike është e bashkuar në mbështetjen e Ukrainës në luftën për drejtësi, mbrojtje të territorit të saj dhe mbrojtje nga orekset perandorake të fqinjit të saj”, theksoi Mitreski. Ai konsideroi se agresioni rus kundër Ukrainës është paralajmërim për të gjithë se paqja, pavarësia dhe liria nuk duhet të merren si të mirëqena. “Por, e gjithë kjo e keqe, gjithë kjo padrejtësi, nuk e shkatërroi shpirtin e Ukrainës, nuk e shkatërroi vullnetin e popullit të guximshëm ukrainas për t’i rezistuar këtij agresioni dhe për të luftuar për sovranitetin territorial të vendit të vet dhe për të ardhmen e tyre të pavarur dhe të lirë”, shtoi ai.
Mitreski, tha se ky agresion kundër Ukrainës është paralajmërim për të gjithë ne se paqja, pavarësia dhe liria nuk duhet të merren si të mirëqena nga askush prej nesh. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse për dy vitet e fundit bota demokratike është bashkuar dhe ka qëndruar fuqishëm pas Ukrainës dhe popullit ukrainas në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të tyre territorial.







